Lirohen nga burgu dy personat e arrestuar nga policia si autorë të dyshuar të djegies së qëllimshme të dy makinave të punonjësve të policisë në Elbasan. Briken Rusta dhe Gerti Hysenbelliu ishin dy njerëzit e ndaluar nga policia e qytetit të Elbasanit, si autorët kryesorë të dyshuar, për ngjarjen e 8 janarit 2020, kur në Elbasan, u dogj me benzinë, automjeti i oficerit të policisë Edvin Gjyli.
Gjithashtu të dy personat e arrestuar nga policia dyshohen edhe për ngjarjen e datën 25 dhjetor 2019, ku në Elbasan është djegur automjeti i ish-oficerit të antidrogës në Elbasan Krenar Kaso, që sot është shefi i paraburgimit në burgun e Bradasheshit. Vendimi për lirimin e Briken Rustës dhe Gerti Hysenbelliut është marrë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu. Lirimi i dy personave të arrestuar nga policia dhe prokuroria me Elbasanit është kryer për shkak se nuk ishte administruar në dosje analiza e pamjeve filmike, ku dyshohet se shfaqen dy autorët e këtyre dy ngjarjeve kriminale.
Mësohet se në muajin shkurt 2020 gjyqtarja Pajtime Fetahu, kishte caktuar masën e “arrestit në burg” me një afat 20 ditur, për Rustën dhe Hysenbelliun duke caktuar një detyrë për prokurorinë dhe policinë, analizimin e pamjeve filmike. Për shkak se ky raport analizimi nuk ka mbërritur në kohë në adresë të prokurorisë dhe nga ana tjetër ka përfunduar afati 20 ditor i qëndrimit në burg të dy të dyshuarve Rusta dhe Hysenbelliu, gjyqtarja Pajtime Fetahu ka vendosur të lirojë nga qelia të arrestuarit për ngjarjen e 8 janarit 2020 dhe dhjetorit 2019.
Pritet që në ditën në vijim ky vendim të ankimohet nga prokuroria në Gjykatën e Apelit në Durrës. Të dy personat dyshohet se janë paguar dhe shtyrë nga të tjerë për të kryer krimin. Njëri nga personat e liruar Gerti Hysenbelliu rezulton me precedent penalë, pasi disa vite më parë është dënuar në mungesë me 3.6 vite burgim për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” në dëm të Elvis.S. në qytetin e Elbasanit.