Mungojnë punonjësit e kualifikuar! Shkodra: Duhet plan afatgjatë! Shtyrja e garancisë së dytë s’është zgjidhje

27 Janar 2021, 13:15| Përditesimi: 27 Janar 2021, 13:31

  • Share

TIRANË- Pas një viti të vështirë që kaloi sipërmarrja për shkak të pandemisë, tashmë ata po përballen me mungesë punonjësish.

“Kemi rënie të kualitetit të punësimit, ndërkohë që ne kemi emigracion të punonjësve të kualifikuar tanë”, shprehet Shkodra, sekretari i shoqatës së prodhuesve në vend. 

Ndikimi më i madh është tek sipërmarrjet prodhuese të cilat paralajmërojnë ulje prodhimi dhe produktiviteti edhe këtë vit nëse nuk marrin mbështetjen e duhur.

“Duhet një plan afatmesëm për rimëkëmbjen, ne nuk mund të rimëkëmbemi vetë. Nëse mendojmë se sipërmarrja shqiptare vetërregullohet dhe vetë ndihmohet, pasojat do jenë ulje e produktivitetit, e konkurueshmërisë, dhe ulje e vendeve të punës”, sqaron Shkodra.

Sa i takon shtyrjes së afatit të kredisë sovrane të dytë, sekretari i shoqatës së prodhuesve në vend Arben Shkodra është skeptik për përdorimin e saj në vijim.

“Unë nuk besoj që instrumenti i kredisë së dytë ishte i duhuri dhe që i shkonte në ndihmë sipërmarrjes që kishte nevojë, i shkonte në ndihmë një sipërmarrje të shëndetshme. Tani nuk kanë ndryshuar kushtet dhe ato të pamundurit nuk do mund ta aksesojnë prapë”, sqaron ai.

Shkodra thotë se një instrument garancie që të funksionoi duhet të ketë disa elementë.

“Brenda një garancie të madhe duhet të kishte element që do ti shkonin në ndihmë një start UP, fermerit, sipërmarrjes së grave, SME-ve dhe të kishte një element për ristrukturimin e kredive për kompani që mund të shpëtohen nga falimenti”,  pohon sekretari i prodhuesve shqiptar.

Garancia e dytë sovrane është shtyrë deri në 30 qershor të këtij viti me vendim të ministrisë së Financave me argumentin se kishte interes nga sipërmarrjet, por për biznesin zgjidhja është tek paketa e rimëkëmbjes që mungoi.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?