Mungon prej 6 muajsh në Kuvend, Arben Ahmetajt i 'digjet' mandati, Ja kush pritet ta zërë vendin e tij në parlament (EMRI)

3 Janar, 16:55| Përditesimi: 3 Janar, 21:25

  • Share

Kthimi në parlament, socialistët pritet t’i gjejë me ndryshime në grupin parlamentar. I ndodhur në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar, ish zv kryeministrit Arben Ahmetaj rrezikon t’i përfundojë mandati më 6 janar.

Pavarësisht se i zhveshur nga imuniteti, Arben Ahmetaj nuk mori asnjë vendim për të hequr dorë vullnetarisht nga mandati dhe as kolegët e tij në grupin e PS nuk morën asnjë vendim për ta përjashtuar nga grupi. Por 6 muaj nga largimi i tij, Kushtetuta detyron ndërprerjen e mandatit e deputetit për ish zv kryeministrin.

Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 71, pika 2, germa d, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon 6 muaj rresht në Kuvend. Hera e fundit që Ahmetaj është shfaqur në Kuvend është seanca e 6 korrikut, vetëm 7 ditë para se të votohej po në Kuvend dhënia e autorizimit për arrestimin e tij.

Sipas përllogaritjeve, është 6 janari dita kur mbushen ekzaktësisht 6 muaj nga mungesa e Ahmetajt në Kuvend, çka do të sillte automatikisht humbjen e mandatit. Pasi të kthehen nga pushimet, Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Burime të sigurta bëjnë të ditur për shqiptarja.com se Bici aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës pritet të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë

Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Më 20 korrik SPAK lëshoi urdhër arresti për të, ndërsa disa ditë më vonë u shpall në kërkim ndërkombëtar. 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?