Prej 15 qershorit në Shëngjin ka nisur zyrtarisht sezoni turistik, por stacionet e plazhit ende nuk janë formalizuar. Vonesa në aprovimin lejeve nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka sjellë edhe problematika.
Pjesa më e madhe e bizneseve nuk i kanë ngritur ende kullat e vrojtimit, për shkak të moslidhjes së kontratës për shfrytëzimin e hapësirës publike.
Vrojtues plazhi dhe operatorë turistik në Shëngjin flasin me shqetësim për burokracinë e institucioneve.
"Kemi bërë kërkesë në Ministrisë së Turizmit dhe na thanë se duhet të paraqesim kërkesën në bashki. E bëmë kërkesën në bashki dhe na thanë do ju njoftojmë ne kur të vinim ta merrnim. Mirë do ishte që këtë leje ta merrnim më parë që më 1 qershor kur çdo njeri që kishte nevojë të bënte pagesën për stacionin e plazhit. Për rojet bregdetare na është kërkuar nga Ministria e Turizmit që të këtë çdo subjekt", tha një nga operatorët turistik.
Referuar të dhënave zyrtare në Lezhë janë certifikuar rreth 70 vrojtues plazhi, por nevojat janë shumë here më të madha. Në këto kushte siguria në plazhe duket se dhe këtë vit do të jetë problem ndaj pushuesit duhet të jenë më të vëmendshëm, pasi në pak plazhe do të ketë persona të kualifikuar që mund të ndërhyjnë për të shpëtuar jetë.