Dy javë pas arrestimeve të bujshme në Portin e Durrësit, ku u zhdukën 50 arka që dyshohet se kishin kokainë janë liruar të gjithë punonjësit e portit si dhe ata të kompanisë "Banaking", kontejneri i së cilës u gjet i dëmtuar dhe i thyer. Punëtorët e sigurisë portuale në Durrës kanë fituar lirinë dy javë pasi u arrestuan për zhdukjen misterioze të arkave me kokainë brenda kontejnerit me banane të porositur nga kompania "Banaking".
Gjykata e Shkallës së Parë me kërkesë të prokurorit Afrim Shehu kërkoi këtë të enjte ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje.
Përpos se do hetohen në gjendje të lirë, gjykata hoqi dhe masën e pezullimit nga puna për përgjegjësin e turnit të kamerave në port, Skënder Plaku, operatorët e kamerave Shefqet Elezi dhe Profit Tola dhe Gentian Halili, Rajd Bleta dhe Gjergji Doraci. Po ashtu në masën detyrim paraqitje u lanë përfaqësuesit e "Banaking", Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata.
"Për 9 personat e arrestuar që prokuroria kishte kërkuar më datë 19 arrest me burg, është në rastet e rralla që prokuroria reagon shpejt kërkoi ndryshimin e masës. 50 arka mungojnë në kontejner, por nga këqyrja e kamerave del se ata nuk kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën".- u shpreh avokati Gramoz Lika.
Kujtojmë se 20 vetë u arrestuan më 16 korrik në portin e Durrësit, 11 prej tyre u liruan në seancën e parë, ndërsa 9 të tjerë të seancën e kësaj te enjte.
Mbetet mister si u hap kontejneri që kishte mbërritur nga Amerika Latine për llogari të kompanisë "Banaking" dhe ku u grabitën 50 arka, që prokuroria dhe policia dyshojnë se nuk kishin banane, por kokainë. Episodet me drogë në Portin e Durrësit janë të shumta. Rasti i fundit u konstatua më 15 qershor, kur policia gjeti 45.5 kilogramë kokainë midis një ngarkese me mish pule nga Brazili.