Policia greke ka goditur një organizatë kriminale e cila importonte ilegalisht në Greqi sasi të mëdha municionesh nga Shqipëria. Në pranga ranë pesë persona, katër prej tyre anëtarë të grupit kriminal - mes tyre edhe një shqiptar.
Pas hetimeve u zbulua se anëtarët e grupit, të paktën që nga prilli i vitit 2025, kishin krijuar dhe ishin bashkuar me një organizatë kriminale, me qëllim importimin ilegal në vend dhe shpërndarjen e mëtejshme për shitje, në zona të Kretës, të sasive të mëdha të fishekëve dhe municioneve, me qëllim përfitimin financiar të paligjshëm.
Sipas Protothema.gr, ata merrnin porosi për municione dhe më pas kujdeseshin dhe siguronin sasitë e nevojshme nga një furnizues i panjohur që vepronte në Shqipëri.
Tre nga anëtarët udhëtonin me rrugë tokësore drejt kufirit me dy automjete, njëri prej të cilëve ishte një kamion i konfiguruar në mënyrë të përshtatshme me një vend të posaçëm për të fshehur municionet. Më pas këto municione shpërndaheshin në tregun grek, kryesisht në Kretë. Anëtarët e organizatës kriminale kishin role të përcaktuara.
Një 65-vjeçar ishte në krye të organizatës. Ai mblidhte porositë për fishekë, udhëtonte deri në kufi ku mbikëqyrte marrjen e municioneve dhe pagesën e parave, ndërsa vetë kujdesej për shitjen e tyre në Kretë, duke udhëtuar me motoçikletë.
Një 72-vjeçar kishte krijuar një vend të posaçëm brenda kamionit për të fshehur municionet, një 73-vjeçar kishte marrë përsipër detyrat e shoferit të kamionit, me të cilin udhëtonte deri në kufi dhe më pas kthehej në Kretë, dhe një 41-vjeçar, shtetas shqiptar, kujdesej për sigurimin e municioneve nga një bashkëkombës, shkruan më tej Prothotema.
Gjatë operacionit, oficerët e policisë nga Departamenti i Krimit të Organizuar i Kretës ndaluan dhe arrestuan 65-vjeçarin, 72-vjeçarin dhe 73-vjeçarin dhe sekuestruan mbi 24,000- fishekë që ishin fshehur në “magazinën speciale” të kamionit. Sipas mediave të arrestuarit janë indentifikuar si Manolis Janulis, Nikolas Lagudhaqis, Jorgos Karcionaqis, Manushos Pisadhaqis dhe shtetasi shqiptar Kostika Braho.
Përveç kësaj, gjatë hetimit, në Kretë u arrestua edhe një 30-vjeçar, i cili më parë kishte blerë fishekë nga anëtari kryesor i organizatës kriminale. Në total, nga kontrollet e kryera në automjete dhe shtëpi, u gjetën dhe u konfiskuan: 24,126 fishekë, një pushkë luftarake, 900 euro dhe automjete (motoçikletë, kamion dhe makinë pasagjerësh).
Komente
