Tre artistë shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në qytete të ndryshme të Italisë, janë bërë këto ditë pjesë e projektit “Arti mural dhe mali”. Nga 20-26 qershor piktorët Albert Dedja, Kujtim Turkeshi e Armand Xhomo, së bashku me artistët italianë Paolo Biasion dhe Loris Paluselli, kanë realizuar pesë murale në banesat e qytezës Castello Tesino në Trentino.
“Një udhëtim mes traditave të hershme, nëpërmjet duarve të mençura të gjashtë artistëve” nënvizohet në posterin e shpërndarë nga Shoqata kulturore-artistike Tesine dhe bashkia e qytetit, të cilat pasi kanë miratuar propozimet e artistëve kanë vënë në dispozicion edhe pesë banesat familjare, që do të zbukuroheshin këtë vit.
Ky është edicioni i dytë i këtij manifestimi dhe projektet e artistëve shqiptarë janë pritur mjaft mirë nga organizatorët e qytezës, që synojnë krijimin e një tradite. Banorët e Castel Tesinos kanë ndjekur nga afër punën e artistëve shqiptarë, të cilët në ditën e parë kanë ndihmuar njeri tjetrin për të hedhur në mur temat e vizatimevet të tyre.
Migracioni i fillim shekullit të kaluar nga kjo zonë alpine e Italisë drejt vendeve të ndryshme të botës e ka bërë më të lehtë zgjedhjen e temës së murales nga ana e piktorit Albert Dedja.
Piktori shijakas dhe bashkëshortja e tij Dardana, drejtojnë prej kohësh një teatër me emrin “Quarta partete” në Itali dhe janë mjaft aktivë në jetën kulturore edhe në vendin e origjinës.
“Tema e punës sime “Nënat” me lartësi 9 metra dhe gjërësi 4 metra u frymëzua nga historia e migrimit – thotë artisti shqiptar. Njëlloj si banorët e Castello Tesino edhe unë që kam përjetuar një histori të ngjashme desha të krijoj një lidhje mes përvojave dhe ndjesive”.
Siopas Dedjes, veç kujtimeve kur largohesh lihen pas edhe nënat, shumë nëna, të cilat mbeten në banesat e hershme dhe që mbajnë të gjalla rrënjët ku rrjedh limfa dhe lidhjet e jetës.
Piktorit Dedja i janë bashkuar në projektin e Castel Tesino edhe artistët shqiptarë, Kujtim Turkeshi nga Durrësi që punon prej vitesh në Deruta (Umbria) si dhe ai nga Lushnja, Armando Xhomo, i cili bashkë të motrën piktore Blerta, punojnë në Firence.
Kujtim Turkeshi me sipërfaqe muraleje prej afro 20 metra katrore ka preferuar që ti sjellë elementet e vendit të tij përmes ngjyrave kuq e zi, duke ruajtur simbolin e migracionit të zonës së Trentino-Alto Adiges. Kthimi në familje si moment feste , kostumet tradicionale dhe shamia e qëndisur me të bardhë para nisjes përbëjnë edhe simbolet e migrimit dhe të historisë së zonës ne Trentino.
Tematika e murales së realizuar nga Armand Xhomo ishte imponuar nga tradita e familjes, në banesën e së cilës zuri vend vepra artistike. Duke qenë se vinin nga një kulturë e hershme blegtorale, Xhomo e ka rivizituar temën e ofruar në një çelës simbolik, duke vënë në qendër demin, si simbol të forcës dhe paqes mashkullore, së bashku me zhvillimin floreal dhe delikatesën e femrës në përgjithësi. Piktori Kujtim Turkeshi thotë se nismat e muraleve në disa qytete të Shqipërisë janë një mënyrë e mirë për të nxitur turizmin, por realizimi i tyre kërkon njerëz mendjehapur dhe pa paragjykime.