Sociale

Murgesha që la Italinë për Tropojën, Motër Lia: Në fillim ishte e vështirë, tani jam e kënaqur, njerëzit këtu na respektojnë

12 Tetor, 13:11| Përditesimi: 12 Tetor, 13:17

  • Share

“Shqipëria ka ndryshuar shumë”, thotë motër Lia Vascon, murgesha katolike e cila la Italinë për Tropojën. Në një intervistë për Report Tv, ajo tregon se si e përjetoi lajmin kur në vitin 1995 u caktua të shërbente në një zonë të thellë malore të Shqipërisë, kushtet në të cilat jetonin shqiptarët aso kohe, si edhe mikpritjen dhe dashurinë me të cilën e pritën njerëzit.

***

Motër Lia është rreth të tetëdhjetave, por nuk lodhet kurrë në shërbim të banorëve të Tropojës. Ajo gjendet gjithmonë në shtigjet e thella malore, duke u interesuar për jetimët, të moshuarit e të sëmurët. Është e dashuruar me këtë tokë dhe që nga dita e parë kërkon më të mirën për njerëzit e saj, e duket se ia ka arritur.

Bashkë me motër Vangjin, një tjetër murgeshë e huaj që ia ka kushtuar jetën Zotit, përpiqen të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar.

Murgesha italiane tregon për herë të parë tronditjen që pësoi kur kongregata e motrave françeskane të “Zemrës së Krishtit” e caktoi në Shqipëri.

“Kur më thanë se duhet të shkoj në Shqipëri, kam qarë. Nuk dija asgjë për Shqipërinë, thjesht një vend në Ballkan, por jo më shumë. Kur erdhëm këtu, dikush na tregonte se duhet të shkonim në fshatrat e Pukës, të tjerë në Fierzë. Ishte një vend i panjohur derisa arrita këtu”.

Edhe pse u përball me vështirësitë e njerëzve, varfërinë dhe realitetin e një Shqipërie që sapo kishte dalë nga komunizmi, motër Lija thotë se në Tropojë është ndier gjithmonë mirë, falë dashurisë së njerëzve dhe bashkëjetesës fetare që e karakterizon këtë vend .

“Në fillim kam pasur shumë vështirësi, sepse vendi ishte shumë i varfër, njerëzit nuk kishin as për t’u ushqyer. Tani jam shumë e kënaqur. Falenderoj Zotin që më ka zgjedhur të rri këtu, në zonën malore të Tropojës. Njerëzit këtu janë të mirë, na respektojnë. Edhe nëse janë nga fe të tjera, për ne nuk ka asnjë problem”.

Murgesha katolike, edhe në këtë moshë, mbetet shpresë për banorët e zonës. Ajo ndihmon me medikamente, ushqen shpirtra të trazuar me paqe, nuk resht së kërkuari për të ndihmuar studentët me bursa, është mbështetje për gratë shtatzëna dhe shpresë për të vetmuarit, duke u kthyer në një bekim për zonën ku shërben.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?