‘Muri” i artit pamor, traditë e premtuar! Fryma e modernitetit tek 13 artistë vendas, Meksi me katër karikatura me temë globale

26 Dhjetor 2022, 15:53| Përditesimi: 26 Dhjetor 2022, 16:11

  • Share

Në Galerinë e Artit Tiranë, disa prej emrave më të mirë të artit bashkëkohor (Adrian Devolli, Agron Polovina, Arben Meksi, Fatmir Minga, Fatmir Tufina, Idriz Balani, Leon Çika, Luan Boriçi, Llambrini Dena, Marjana Goxhabelliu, Mira Kuçuku, Violeta Kongo), ngritën përmes veprave pamore, ekspozitën “Muri”...

“Në përbërje të këtij grupimi janë artistë që kanë potenciale krijuese, janë artistë që kanë një emër, kanë krijimtari të pasur, dhe janë grupuar bashkë sepse i lidh një koncept jo vetëm shoqëror, por koncepti mbi artin e ri, atë modern”, thotë drejtori i GAT, artisti Abaz Hado.

Me piktura, punime në qeramikë, skulpturë , kompozime me gurë zalli të kuruar nga artistja Marjana Goxhabelliu, 13 artistë shënuan edicionin e tretë...

“Ideator i kësaj nisme ka qenë piktori Adrian Devolli, pasi thoshte ne artistët duhet të ballafaqohemi dhe të shohim se ku jemi. Duke parë punët e njërit ne vihemi në “garë” pozitive që të rritemi profesionalisht”, shprehet kuratorja Goxhabelliu.

Artisti Idriz Balani, përmes skulpturës solli figurën e femrës.

“Femra është zanafilla e jetës, e kam sjellë atë në dy momente, në atë të zgjimit dhe në një moment relaksi”, thotë skulptori Idriz Balani.

4 punimet në karikaturë të Arben Meksit, nxitën reflektim tek vizitorët përmes tematikave globale që cekin aktualitetin.

“Karikatura e parë, që struci mban mbi kokë globin, jep idenë se ‘ku po shkon bota’... Bota jonë ka probleme sidomos pas pandemisë dhe pas luftës, kështu që ka dilemat e veta. Një vepër tjetër trajton varësinë nga digjitalizimi. Karikatura tjetër është gjithçka në këtë botë kthehet nga e para, çdo fenomen është objektivi i kësaj bote. Dhe pastaj është karikatura e tretë, me simbolikën e bravës.  Të gjithë janë kurioz, të gjithë duan të dinë, natyrisht kurioziteti e habia janë elementë të mençurisë së njerëzve por kur ato bëhen me tepricë kalohet në anën e gabuar”, shprehet arkitekti dhe artisti Arben Meksi.

 

Si një pikëtakimi, prezantim e ballafaqim të krijimtarisë së tyre, artistët premtojnë ta kthejnë “Murin” pamor në një traditë.

 

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?