Shkodër- Po udhëtonte drejt Malit të Zi me hashash në makinë, procedohet penalisht në kufi 25-vjeçarja nga Kosova.
Aksioni është kryer nga Policia e Shkodrës, nëpërmjet Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Policinë Kufitare.
E dyshuara nën akuzë është shtetasja me inicialet G. G., e cila u pikas dhe kap në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan.
“Gjatë procedurave të verifikimit dhe kontrollit në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, shërbimet i gjetën kësaj shtetaseje një sasi të vogël lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thanë burime zyrtare të policisë lokale.
Paraprakisht e dyshuara ka pretenduar se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike, teksa hetimet i vijon prokuroria vendore, për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia nuk ka dhënë detaje të tjera për momentin, nëse kosovarja ka precedentë penalë apo është e lidhur me aktivitetin kriminal.