Muriqan- Një 36 vjeçar është vendosur në pranga dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë pasi tentuan të kalonin nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit, 331 mijë euro të padeklaruara, që dyshohet janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
36 vjeçari i arrestuar është identifikuar si Fadil Halmusaj.
Blutë i gjetën paratë në pjesën e tavanit të makinës dhe në bagazhin e saj.
"Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedez Benz” me drejtues shtetasin F. H. dhe pasagjer shtetasin P. M. Në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331 000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i futnin ilegalisht në Shqipëri", informoi sot policia.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.
Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.