Shkodër/Lezhë- Shërbimi Veterinar i Rajonit Shkodër, në bashkëpunim me Policinë e Lezhës dhe të Shtetit, kanë nisur një aksion prej ditës së djeshme (5 Janar), me qëllim kontrollin në akset rrugore, në mënyrë që të mbahet në monitorim lëvizja e kafshëve të gjalla derra, si dhe të mjeteve të transportit të kafshëve brenda zonës 3 dhe 10 km.
Shkak është situata më e fundit me murtajën afrikane të derrave që ra në atë zonë, ku shërbimet punojnë prej javësh për lokalizimin, evidentimin, asgjësimin dhe shmangien e pasojave në kafshë dhe popullatë.
“Nga grupet e punës u ndaluan dhe u kontrolluan 56 mjete transporti të kafshëve, nga këto 7 mjete transporti rezultuan me derra, gjithsej 43 krerë (gica 2-3muaj)”, njofton shërbimi.
Pas kontrollit, mjetet që transportonin derrat u kthyen për në fermat e origjinës, për të shkarkuar derrat dhe u urdhëruan mjekët veterinerë përkatës në këto zona, sipas adresave, që të kontrollojnë fermat e derrave dhe të dezinfektojnë mjetet e transportit të tyre.
Vatra e re u evidentua më 27 Dhjetor pas asaj në muajin nëntor të vitit të kaluar, teksa deri tani ka mbi 100 kafshë të ngordhura apo groposura nga autoritetet dhe vijon ende kontrolli në terren.