Korçë- Konfirmohet edhe vatra e parë e murtajës së ruminantëve të vegjël në qarkun e Korçës (e bagëtive të imta).
Autoritetet thanë për Report Tv informojnë se rasti është identifikuar në fshatin Shuec të Devollit, ku menjëherë nga Shërbimi Veterinat dhe Policia u vendos perimetri i karantinimit të fermës dhe zonës përreth, u identifikuan bagëtitë rrth 200 kokë për asgjësim dhe izolim të përhapjes së sëmundjes.
Demirali Latollari, përgjegjës i Shërbimit Veterinar në qarkun Korçë, u shpreh së vatra ishte izoluar, kafshët u futën në karantinë dhe do eliminohen:
"Katër ditë më parë është konstatuar vatër infeksioni e murtajës te bagëtitë e imta në tufën e blegtorit Florian Bode, në fshatin Shuec, të bashkisë Devoll. Fermerit të prekur i kanë ngordhur 13 bagëti në tufën me 170 krerë. Pas njoftimit të Shërbimit Veterinar të Korçës, specialistët kanë mbërritur në Shuec, ku kanë konfirmuar sëmundjen e murtajës dhe po marrin masa për asgjësimin e bagëtive të prekura. Nga kontrolli në ferma të tjera në nivel qarku nuk janë konstatuar vatra të tjera”.
Gjithashtu ai shpjegoi se në një perimetër prej 3 km, që përfshin Shuecin, Rakickën dhe Zagradecin, është vendosur karantina veterinare, për shkak të rrezikut të lartë të infektimit.
“Vendosja e karantinës ndalon lëvizjen e bagëtive nga kjo zonë në zonat e tjera. Fermerët duhet të kenë kujdes dhe të mos shesin apo blejnë kafshë në këtë periudhë në tregje. Murtaja e bagëtive, edhe pse përhapet shpejt te bagëtitë e imta, nuk paraqet rrezik për përhapje te njerëzit dhe as te kafshët e tjera", vijoi Latollari.
Kujtojmë se rasti i parë i murtajës u shënua më 3 qershor në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Shkodër. Ndërkohë pas saj u konfirmuan edhe dy vatra të tjera konkretisht në njësinë administrative Kastriot, Dibër dhe në Martanesh, bashkia Bulqizë.
Shërbimi Veterinar u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve të kufizojnë lëvizjen e deleve dhe dhive, të zbatojnë masat e higjienës dhe të informojnë menjëherë për çdo shenjë klinike të sëmundjes.
Çfarë është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur edhe si Peste des Petits Ruminants, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht delet dhe dhitë.
Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.
Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi.
Komente
