Murtaja e ruminantëve të vegjël ka prekur 263 bagëti në dy ferma në fshatin Polenë në rrethin e Skraparit. Lajmin e ka bërë të ditur Shefi i Sektorit të Veterinarisë, në Drejtorinë e Bujqësisë së qarkut Berat, lirjan Ramaj, i cili ndër të tjera ka thënë se janë marrë masat për karantinimin e fermave dhe eliminimin e bagëtive.
"Kemi dy raste në dy ferma në fshatin Polenë në Skrapar, ku pas shenjave të konstatuara në terren nga veterinerët tanë dhe pas analizave të kryera, bagëtitë kanë rezultuar pozitive. Në njërën nga fermat janë 191 krerë të infektuara dhe në fermën tjetër janë 72 krerë të prekur nga sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël.
Janë marrë të gjitha masat, fermat janë futur në karantinë, pritet të kryhet proçesi i eliminimit të kafshëve të të dyja tufave ,është përcaktuar "zona e kuqe" prej 3 km dhe nga veterinerët tanë të shërbimit të kontrrollit po bëhet inventari i të gjitha fermave,ndërkohë që zona rreth 10 km përreth këtyre fermave po mbajet në vëzhgim nga veterinerët.
Në bashkëpunim me policinë, janë ngritur pika kontrolli sepse është e ndaluar lëvizja e kafshëve të imëta nga ferma në fermë dhe nga ferma në kullotë. Momentalisht kemi vetëm këtë vatër në qarkun tonë. Është një sëmundje që përhapet vetëm nëpërmjet kontaktit të kafshëve. Shenjat e kësaj sëmundjeje janë: lotim i syve, diarre, temperaturë e lartë që shkon në 41-42 gradë, plagë në gojë dhe pas 3-ditësh kafshët ngordhin. Jemi në pritje të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë për formën dhe mënyrën e e elminimit,që do të kryhet këto ditë", ka thënë Ilirjan Ramaj.
Më tej Ramaj ka bërë thirrje fermerëve të qarkut të Beratit, që nëse evidentojnë ndonjë rast në bagëtitë e tyre të marrin menjëherë numrin e gjelbër që ka vendosur ministria ose të njoftojnë veterinerët e zonës, ndërkohë që u ka kërkuar të mos i lëvizin kafshët nga një zonë në tjetrën pasi bëhen burim për përhapjen e sëmundjes.
Komente
