Shfaqja e rasteve të sëmundjes së murtajës tek bagëtitë e imta në disa zona të vendit ka vënë në lëvizje Shërbimin Veterinar në qarkun e Lezhës.
Në zbatim të planit të masave dhe urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë, grupet e punës kanë zbarkuar në terren për të mbikëqyrur situatën dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, duke ju kërkuar fermerëve që bagëtitë e imta të mbahen në regjim stallor deri në një urdhër të dytë.
Përgjegjësi i Autoritetit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Lezhë, Ded Rama, paralajmëron masa ndëshkuese për të gjithë ata që nuk i binden këtij urdhri.
“Deri tani Lezha është e pastër nga sëmundja. Kemi shëpërndarë postera për sensibilizimin e fermeëve. Edhe veterinerët kanë shkuar në çdo fermë duke i paralajmëruar, se gjatë kësaj periudhe ata nuk duhet t’i nxjerrin bagëtitë nga stallat. Mos i nxirni sepse do t’ju shkatërrohet ferma nga kjo sëmundje. Fermeri që nuk zbaton urdhërat do të ketë penalitete, sepse bëhet shkak për përhapjen e sëmundjes”, tha Ded Rama.
Nën monitorim të vazhdueshëm është vënë edhe tregu i gjësë së gjallë në Milot, i cili operon çdo të diel, në kushte aspak normale.
Deri tani në Qarkun e Lezhës nuk janë regjistruar raste të murtajës tek bagëtitë e imta, por autoritetet ju bëjnë thirrje të gjithë fermerëve dhe qytetarëve të tregojnë bashkëpunim maksimal në këtë fazë problematike për shëndetin e bagëtive dhe sigurinë e zinxhirit ushqimor.
Komente
