Musaka me dromsa dhe spinaq / Pispili çame me super shije nga zonja Albana

18 Qershor, 12:17| Përditesimi: 18 Qershor, 12:19

  • Share

Musaka me dromsa dhe spinaq

Përbërësit:

  • 500 gr spinaq
  • 1 gotë me dromsa
  • 1 kokërr qepë të thatë
  • 1 tufë hudhra të njoma
  • 1 filxhan kafeje qumësht
  • 4 vezë të freskëta
  • 2 lugë gjalpë të tretur
  • 1 lugë miell
  • Vaj ulliri
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Lajmë mirë spinaqin, heqim bishtat dhe e lëmë të kullojë. Më pas grijmë gjethet me thikë. Ndërkohë, në një tigan të thellë kaurdisim me pak vaj ulliri një qepë të grirë hollë. Shtojmë më pas hudhrat e njoma të prera hollë si dhe në fund spinaqin. Sipas dëshirës shtojmë kopër, piper, kripë dhe e lëmë gatimin të ziejë derisa të shterojë uji që ka nxjerrë vetë spinaqi. Në fund hedhim dromsat e skuqura në gjalpë. I lëmë të marrin 2-3 valë dhe të gjithë masën e përgatitur e shtrojmë në një tepsi të vogël të lyer me vaj ulliri. Më pas skuqim me pak gjalpë miellin duke e përzier me lugë druri. E lëmë në zjarr të ngadaltë derisa të marrë një ngjyrë të artë. Pasi të jetë ftohur pak e tretim me qumësht të ftohtë. Ndërkohë në një tas rrahim vezët, shtojmë qumështin me miellin e skuqur dhe i përziejmë duke i rrahur. Kremin e përgatitur e hedhim mbi dromsat me spinaq duke patur kujdes që të përhapet në të gjithë tepsinë. E vendosim musakanë në furrë dhe e pjekim në temperaturën 180 gradë Celsius derisa sipërfaqja të marrë një ngjyrë të bukur.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?