Receta

Musaka me perime nga zonja Albana

2 Qershor, 11:17| Përditesimi: 2 Qershor, 11:18

  • Share

Musaka me perime

Përbërësit:

  • 2 qepë
  • 4 thelpinj hudhër
  • 500 gr mish i grirë
  • 1 filxhan kafeje vaj ulliri
  • 2 domate të pjekura
  • 3 lugë çaji sheqer
  • 1 lugë çaji kanellë pluhur
  • 3 degë borzilok të freskët
  • 2 patëllxhanë
  • 1 gotë vaj luledielli
  • 2 kunguj
  • 2 patate
  • Kripë, piper

Për salcën beshamel:

  • 2 lugë gjelle gjalpë
  • 2-3 lugë gjelle miell
  • 4 gota qumësht
  • 1 gjethe dafine
  • 2 gozhdë karafili
  • 150 gr djathë i fortë i grirë
  • ½ lugë çaji arrë moskat
  • Kripë dhe piper

Përgatitja:

Në një tenxhere ngrohim vajin dhe skuqim qepët e grira. Shtojmë hudhrën, mishin e grirë dhe vazhdojmë me kaurdisjen. Shtojmë më pas domatet e qëruara dhe të prera në kubikë, hedhim sheqerin, kanellën, borzilokun e grirë, kripën dhe piperin. E lëmë të gatuhet derisa mishi të përthithë lëngjet. Ndërkohë qërojmë dhe presim në feta patëllxhanët, kungujt dhe patatet. I vendosim në ujë me kripë për 10–15 minuta, i thajmë mirë dhe i skuqim lehtë nga të dy anët në vaj të nxehtë. I vendosim mbi letër kuzhine për të thithur vajin e tepërt. Në një tavë vendosim një shtresë me patate të skuqura dhe sipër tyre një pjesë të mishit të grirë. Shtrojmë një shtresë kungujsh, mish të grirë, patëllxhanë dhe pjesën tjetër të mishit. Përgatisim beshamelin: shkrijmë gjalpin në një tigan dhe kaurdisim miellin. Shtojmë qumështin që e kemi ngrohur me përpara me gjethen e dafinës dhe karafilin. Hedhim kripën, piperin dhe arrën moskat. Në fund shtojmë djathin e grirë dhe e përziejmë mirë. Hedhim beshamelin mbi tavën me musaka dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 1 orë, derisa të marrë një ngjyrë të artë në sipërfaqe. E lëmë të ftohet për rreth 1-2 orë përpara se ta presim në copa dhe t'a shërbejmë.

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?