Musaka me presh
Përbërësit:
- 3-4 presh të mëdhenj
- 400 gr mish i grirë
- 1 qepë mesatare
- 2 thelpinj hudhër
- 2 lugë gjelle vaj ulliri
- 1 domate / 2 lgj salcë domatesh
- ½ lugë çaji kripë
- ½ lugë çaji piper i zi
- ½ lugë çaji rigon ose trumzë
- 1 lugë çaji spec i kuq pluhur
- 50 ml verë e bardhë (opsionale)
Për beshamelin:
- 500 ml qumësht
- 2 lugë gjelle gjalpë
- 2 lugë gjelle miell
- 1 kokërr vezë
- Kripë dhe arrëmyshk sipas shijes
- Djathë kaçkavall i grirë
Përgatitja:
Presim preshin në rrathë dhe e vendosim të ziejë në ujë me pak kripë për 5-7 minuta. E kullojmë mirë dhe e lëmë mënjanë. Në një tigan, ngrohim vajin e ullirit dhe kaurdisim qepën dhe hudhrën. Shtojmë mishin e grirë dhe e gatuajmë derisa të marrë ngjyrë. Hedhim domaten e grirë, verën e bardhë, erëzat dhe e përziejmë mirë. E lëmë të ziejë për 10-15 minuta derisa të avullojë lëngu i tepërt. Ndërkohë përgatisim beshamelin duke kaurdisur pak miell me gjalpë. E përziejmë vazhdimisht duke shtuar qumështin gradualisht, pa ndaluar me përzierjen që të mos krijohen kokrriza. Shtojmë pak kripë, arrëmyshk dhe në fund vezën e rrahur, duke e përzier shpejt. Në fund shtojmë djathin kaçkavall të grirë dhe e përziejmë derisa të shkrihet. Në një tavë pjekjeje, montojmë musakanë, vendosim një shtresë presh, më pas mishin e gatuar dhe përsëri një shtresë presh. Sipër hedhim beshamelin, e përhapim në mënyrë të njëtrajtshme dhe e vendosim tavën në pjekje në furrë të parangrohur në 180°C për 30-35 minuta, derisa të marrë një ngjyrë të artë.
Komente
