Në zonat turistike po kryhet dezinsektimi për parandalimin e sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat, proces që do të vijojë deri në tetor, njoftuan autoritetet. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu dhe Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini inspektuan procesin e dezinsektimit në vijën bregdetare të Gjirit të Lalëzit në Durrës.
Ministrja Koçiu tha se dezinsektimi po vijon të kryhet në 6 bashki të vendit në zonat turistike, një proces që bëhet periodikisht çdo dy javë.
“Ekipet janë në terren për të vlerësuar dhe për të kryer procesin rast pas rasti. Ky është një proces që kryhet periodikisht çdo dy javë. Pasi bëhet një dezinsektim, vijnë ekipet që bëjnë vlerësimet nëse ka qenë efektiv procesi dhe ripërsëritet sipas nevojës”, vuri në dukje Koçiu.
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë solli në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe operatorët privat për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe garantimin e shëndetit të popullatës.
Sipas saj, është e domosdoshme që edhe vetë bizneset që operojnë në zonat turistike të kryejnë këtë proces në ambientin ku operojnë.
“Secili biznes që operon në vijën bregdetare, sidomos, do të duhet të marrin masa brenda zonës ku ushtron biznesin apo aktivitetin që të kryejnë vetë proceset dezinsektuese si dhe të mbajnë pastër ambientin ku operojnë nga papastërtitë dhe mbetjet pasi në periudhën e verës për shkak të temperaturave të larta, patjetër që krijojnë problematika”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini sqaroi se “janë bërë dezinsektuar deri më tani 77 hektarë, mbi 6000 m2 bodrume, kanale, puseta dhe habitate të tjera”.
Komente
