Bota

Musk shpërndan çeqe prej një milion dollarësh për votuesit, shfaqja e fundit e pronarit të 'X' (VIDEO)

31 Mars, 09:34| Përditesimi: 31 Mars, 10:32

  • Share

Elon Musk shpërndau çeqe prej 1 milion dollarësh të dielën për dy votues në Wisconsin, të cilët kishin nënshkruar një peticion online kundër "gjyqtarëve aktivistë", në kuadër të zgjedhjeve për Gjykatën e Lartë. Miliarderi i teknologjisë i cilësoi këto zgjedhje si vendimtare për axhendën e presidentit Donald Trump dhe "për të ardhmen e qytetërimit".

"Është një çështje madhore", u shpreh ai përpara një turme prej rreth 2 mijë personash në Green Bay mbrëmjen e djeshme, teksa doli në skenë me një kapelë në formë djathi të verdhë. "Nuk po e bëj këtë vetëm përmes një telefonate, jam këtu personalisht."

Musk dhe grupet që ai mbështet kanë shpenzuar mbi 20 milionë dollarë për të ndihmuar Brad Schimel, kandidatin e preferuar të konservatorëve në garën e së martës, e cila do të përcaktojë drejtimin ideologjik të një gjykate që do të vendosë për çështje kyçe në një shtet që tradicionalisht ka qenë fushëbetejë politike. Musk është bërë një figurë qendrore në këtë betejë, me kandidaten e mbështetur nga liberalët, Susan Crawford, dhe aleatët e saj që protestojnë kundër tij dhe ndikimit që ai, sipas tyre, po përpiqet të ushtrojë mbi gjykatën.

Musk theksoi se Gjykata e Lartë e shtetit mund të merret me rishpërndarjen e distrikteve elektorale, çka mund të ndikojë se cili parti do të kontrollojë Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA.

Të dielën, Gjykata e Lartë e Wisconsin-it, unanimisht, refuzoi të shqyrtonte një përpjekje të minutës së fundit nga Prokurori i Përgjithshëm demokrat i shtetit për ta ndaluar Musk të shpërndante çeqet për dy votuesit, një vendim që erdhi vetëm disa minuta para fillimit të mitingut. Dy gjykata më të ulëta kishin rrëzuar më parë padinë e demokratit Josh Kaul, i cili argumentoi se oferta e Musk shkel një ligj shtetëror.

"Ligji i Wisconsin-it ndalon ofrimin e diçkaje me vlerë për të nxitur dikë të votojë," tha Kaul. "E megjithatë, Elon Musk e bëri këtë."

Avokatët e Musk argumentuan në dokumentet e dorëzuara në gjykatë se sipërmarrësi po ushtronte të drejtën e tij për lirinë e shprehjes me këto kontribute dhe se çdo përpjekje për ta kufizuar atë do të shkelte si Kushtetutën e Wisconsin-it, ashtu edhe atë të SHBA-së. Pagesat, sipas tyre, kishin për qëllim "të krijonin një lëvizje bazë kundër gjyqtarëve aktivistë, dhe jo të shprehnin mbështetje apo kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj ndonjë kandidati".

Komiteti i veprimit politik i Musk ka përdorur një taktikë pothuajse identike para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, duke ofruar të paguante 1 milion dollarë në ditë për votuesit në Wisconsin dhe në gjashtë shtete të tjera kyçe që firmosnin një peticion në mbështetje të Amendamenteve të Parë dhe të Dytë të Kushtetutës. Një gjykatës në Pensilvani vendosi se prokurorët nuk kishin arritur të provonin se iniciativa ishte një llotari e paligjshme, duke lejuar kështu që ajo të vazhdonte deri në ditën e zgjedhjeve./La Repubblica

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 31/03/2025 13:27

    Zgjefhjet ne amerike blehen. Fakti Musk pagoi 250 milon dollar per fushaten e Tramf dhe tani 20 milion per xgjedhjet ne drejtesi! Eshte demokratike ky veprim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?