Elon Musk rikthehet me kritika të ashpra ndaj Donald Trumpit. Në shënjestër është veçanërisht ligji i buxhetit, të cilin presidenti amerikan e ka quajtur "Projektligj i madh dhe i bukur" dhe që u diskutua në Senat.
Sipas themeluesit të Tesla-s dhe SpaceX, ish-anëtar i administratës Trump, versioni i fundit i ligjit fiskal është “krejtësisht i çmendur dhe shkatërrues”, “do të shkatërrojë miliona vende pune në Amerikë dhe do t’i shkaktojë vendit tonë një dëm strategjik të jashtëzakonshëm!”.
Në një postim në X – rrjeti social që është në pronësi të tij – Musk ka shkruar se ligji “jep lëmosha për industritë e së kaluarës, ndërsa dëmton rëndë industritë e së ardhmes”.
Ndërkohë që Musk postonte në X, dhe në Senat bëhej llogaritja e votave për miratimin e ligjit të shpenzimeve, Trump po luante golf me senatorët republikanë Rand Paul dhe Lindsey Graham. Ky i fundit postoi një foto në X ku shfaqet i buzëqeshur përkrah presidentit. “Gëzuar ditën e ligjit të madh dhe të bukur!”, shkroi ai.
Në fillim të qershorit, Trump dhe Musk patën një përplasje të bujshme dhe shumë të ashpër publike. Pas largimit të Musk nga Departamenti për Efiçencën Qeveritare (Doge), ai nisi të kritikonte ligjin e buxhetit, dhe Trump e sulmoi publikisht gjatë një konference për shtyp. Musk në atë moment nisi të postonte kundër tij në X, duke shkaktuar një reagim të furishëm. Ja disa nga shkëmbimet e atyre orëve:
(Trump) “Po bënte një punë të mirë (në Doge) jam i sigurt se ai vend do t’i mungojë. Jam i zhgënjyer, e kam ndihmuar shumë. Kisha një marrëdhënie të mirë me Muskun, nuk e di nëse do të kemi më”.
(Musk) “Pa mua, Trump do t’i kishte humbur zgjedhjet, Demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Republikanët do të ishin 51-49 në Senat. Sa mosmirënjohje!”.
(Trump) “Mënyra më e thjeshtë për të kursyer para në buxhetin tonë, miliarda e miliarda dollarë, është të ndalim subvencionet dhe kontratat qeveritare për Elonin. Më ka habitur gjithmonë që Biden nuk e ka bërë!”.
(Musk) “Ka ardhur koha për të hedhur bombën e madhe. Donald Trump ndodhet në Dosjet Epstein (lista e emrave të lidhur me financierin e botës së pasurisë Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafik seksual të të miturve, i cili u vetëvra në vitin 2019 gjatë pritjes për gjyq). Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Gëzuar ditën, DJT! E vërteta do të dalë në dritë”.
Më pas, pronari i Tesla-s, X-it, SpaceX-it dhe shumë kompanive të tjera hapi një sondazh në X (ku ka mbi 210 milion ndjekës): “A ka ardhur momenti për të themeluar një parti të re që përfaqëson realisht 80% të popullsisë?”
Vetëm pas disa ditësh, të dy kishin firmosur një “armëpushim”, me ndjesën publike të Musk drejtuar Trumpit: “E teprova”, tha Musk.
“Më dukej shumë e bukur nga ana e tij”, ishte reagimi i Trump në një intervistë për “New York Post”, çka u interpretua si një shenjë zbutjeje mes tyre. Një zbutje që zgjati deri të shtunën në mbrëmje./Corriere della sera
Komente
