Elon Musk ka fshirë nga platforma X postimin ku të enjten, pa paraqitur prova, akuzonte Donald Trump-in se ishte një pedofil. Por ky hap nuk mjaftoi për të qetësuar situatën. Pas përplasjes së ashpër, të shënuar nga shkëmbime fyerjesh dhe paralajmërimesh, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shpallur fundin e marrëdhënieve me ish-aleatin e tij dhe e ka kërcënuar: nëse Musk do të financojë kandidatët demokratë që garojnë kundër republikanëve, Trump deklaroi për NBC News, “do të përballet me pasoja shumë të rënda”. Miliarderi sqaroi se nuk ka asnjë qëllim për të rindërtuar raportin me Musk. “Ai bëri diçka shumë të keqe — komentoi — ishte shumë i parespektueshëm. Nuk mund të tregosh mungesë respekti ndaj presidencës.” Kur u pyet nëse e konsideron të përfunduar marrëdhënien, Trump u përgjigj: “Presupozoj, po”.
Kjo përplasje ndodh pikërisht në orët kur shumëkush po pyet veten nëse vërtet, siç kishte sugjeruar përmes një sondazhi në X, Musk po mendon të krijojë një parti të tijën me prirje nacionaliste. 80 për qind e 5.6 milionë votuesve iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së miliarderit afrikan, i cili i drejtoi 220 milionë ndjekësve të tij këtë pyetje: a ka ardhur momenti të krijojmë një parti të qendrës? Postimi është parë nga mbi njëqind milionë përdorues. Emri i mundshëm i kësaj partie të re, “America Party”, është sugjeruar nga vetë ndjekësit. Musk deklaroi: “Populli ka folur. Nevojitet një parti e re në Amerikë.” Ftohja që tregoi Trump mund ta shtyjë Musk të përshpejtojë projektin e tij politik.
Kjo hipotezë i tremb republikanët, pasi partia e Musk është e vlerësuar me rreth 15 për qind të votave dhe do të ndikonte te elektorati jo progresist, duke përsëritur efektin e Ross Perot, miliarderit nga Teksasi që kandidoi i pavarur në vitin 1992, duke dëmtuar George H. W. Bush-in dhe ndihmuar fitoren e demokratit Bill Clinton. Shumë i kanë bërë thirrje miliarderit afrikan të tërhiqet nga kjo ide. Fshirja e postimit u duk si një shenjë pajtimi, por reagimi që pasoi ishte i ashpër.
Musk dhe Trump i kanë mësuar tashmë amerikanët me ndryshime të befasishme qëndrimi, por akuza për pedofili duket se është një pikë pa kthim. Rasti Epstein ka të bëjë me financierin që vdiq në burg në vitin 2019, pasi ishte arrestuar për ngritjen e një harem vajzash të mitura për të kënaqur dëshirat seksuale të miqve të tij. Musk ka sugjeruar se në dosje përmendet edhe emri i Trump-it — deri tani i cituar vetëm në një agjendë telefonike dhe në regjistrin e fluturimeve të avionit privat të Epstein — dhe se historia është fshehur për të mos e dëmtuar atë.
Trump e di që hija e pedofilisë do të vazhdojë të qëndrojë derisa Departamenti i Drejtësisë të bëjë publike të gjitha dokumentet. Ministrja Pam Bondi, një aleate e ngushtë e presidentit, pati njoftuar ditën e parë të mandatit të saj se do të deklasifikonte të gjitha dokumentet. Njëqind faqe iu dhanë paraprakisht blogerëve dhe influencerëve të së djathtës, të cilët pozuan të entuziazmuar me dokumentet në dorë përpara Shtëpisë së Bardhë. Por dy mijë faqe të tjera mbeten ende sekrete.
Akuzat e Musk-it i kanë hequr një armë bazës konspirative të lëvizjes MAGA, që prej vitesh pretendonte se pas vdekjes së Epstein — vetëvrasje sipas FBI-së, vrasje sipas teoricienëve të konspiracionit — qëndronin demokratët, të cilët donin të fshehnin përfshirjen e figurave të njohura të partisë dhe donatorëve të saj të mëdhenj. Të vazhdosh të thuash këtë tashmë është më e vështirë./La Repubblica
Komente
