Pas partive tradicionale dhe atyre të ndërtuara mbi figura individuale, për Amerikën ka ardhur koha e algoritmit ideologjik. Menjëherë pas miratimit të ligjit të buxhetit të imponuar republikanëve nga Donald Trump, ish-aleati dhe financuesi i tij i madh, Elon Musk, ka dashur jo vetëm t’i prishë fundjavën e 4 Korrikut, por edhe t’i turbullonte horizontin politik.
Miliarderi afrikan-jugor, Elon Musk, pronar i X, Space X dhe Tesla-s, ka hedhur zyrtarisht në platformën e tij sociale idenë e një force të tretë politike, “Partia e Amerikës”, që synon të thyejë bipolarizmin dhe të dobësojë republikanët që aktualisht kontrollojnë Kongresin. E bëri përmes një sondazhi mes mbi 220 milionë ndjekësve. “Dita e Pavarësisë – shkroi ai në X – është momenti perfekt nëse doni pavarësi nga bipolarizmi, dikush do të thoshte edhe monopolarizmi politik. A duhet të krijojmë një Parti Amerikane?”
Postimi, deri në pasditen amerikane, ishte parë nga 44 milionë njerëz dhe kishte marrë votën e më shumë se 1 milion e 248 mijë përdoruesve: 65.4% kishin votuar po, kundrejt 34.6% që ishin kundër. Nuk kishte hapësirë për një opsion të tretë.
Që demiurgu i makinave elektrike dhe raketave dëshironte të themelonte një parti kishte kohë që qarkullonte si ide. Nuk është ndonjë risi, por një simptomë e politikës aktuale amerikane, spektakolare, ku presidenti i SHBA-së shet parfume me emrin e tij dhe bën biznese private me liderë të tjerë botërorë, pa u shqetësuar për konflikt interesi. Musk nuk kërkon vetëm një parti, por një armë shantazhi ndaj ish-mikut të tij, si dhe një përshpejtues të përplasjes finale me Trump, pas fyerjeve dhe akuzave për pedofili (për të cilat më pas kërkoi falje), dhe kundër-kërcënimeve nga ana e Trump, i cili nuk përjashtoi mundësinë ta deportonte atë.
Së fundmi, duke kritikuar ligjin fiskal që rrit deficitin federal, Musk fyeu Partinë Republikane, duke e quajtur me ironi “Partia e Derrave të Egër”, partia e derrkucit, si personazhi i famshëm i Warner Bros. Steve Bannon, ish-strateg i Trump dhe armik i hapur i Musk, e hodhi poshtë idenë: “Jo, vëlla – komentoi – ti nuk je amerikan. Je afrikan-jugor”. Por një projekt në stilin e Beppe Grillos mund të tërheqë një pjesë të elektoratit amerikan. Më tej, po nga platforma e tij sociale, në përgjigje të një përdoruesi që e pyeti se pse kishte kaluar nga adhurimi për Trump te kritikat, Musk tregoi me gisht drejt ligjit të ri të buxhetit: “Një rritje e deficitit nga një shifër tashmë absurde prej 2 mijë miliardë dollarësh nën Biden, në 2.5 mijë miliardë. Kjo do ta çojë vendin në falimentim”.
Sipas programit të inteligjencës artificiale të X, të quajtur Grok, “America Party” mund të marrë mes 5% dhe 10% të votave, duke prekur veçanërisht bazën e zhgënjyer republikane. Për të treguar se e ka seriozisht, Musk ka skicuar edhe një strategji politike: “Një mënyrë për të vepruar – u shpjegoi ai ndjekësve – do të ishte të fokusohemi me precizion lazer në dy ose tre vende në Senat dhe nga tetë në dhjetë distrikte në Dhomën e Përfaqësuesve.” Dhe shtoi: “Duke marrë parasysh margjinat e ngushta në Kongres, kjo do të mjaftonte për të pasur votën vendimtare në ligjet më të debatueshme, në mënyrë që të përfaqësohet vullneti real i popullit.”
Sipas inteligjencës artificiale, një forcë e tretë mund të komplikojë garën e kandidatëve republikanë në shtete kyçe si Pensilvania, Georgia, Arizona, Wisconsin, Michigan dhe Nevada. Një kandidat i tretë presidencial në vitin 2028 do të prishte planet e Trump dhe të klanit të tij, duke nisur nga i biri Eric, që ka shfaqur interes për të kandiduar, dhe nënkryetari J.D. Vance, që kërkon të paraqitet si një Trump më i ri dhe më pak i paparashikueshëm. Në këtë rast, peshën më të madhe do ta kishin financimet e fushatave elektorale – dhe në këtë drejtim, njeriu më i pasur në botë, me një pasuri personale prej 405 miliardë dollarësh sipas Forbes, do të kishte një avantazh të jashtëzakonshëm krahasuar me të dy partitë tradicionale./La repubblica
Komente

Ku e lejne Izralitet me ardh ne pushtet mbasi bone shenjen e Nazisteve hahahhahahah ooooo politika po me kenaq
Përgjigju