Sociale

Muzeu Arkeologjik në Durrës pa hipotekë, restaurimi u zvarrit! Punimet duhet të mbaronin në vitin 2023

25 Maj, 17:05| Përditesimi: 25 Maj, 19:27

  • Share

Zhurma e çekanëve dhe pirgjet me zhavorr që rrethojnë godinën e Muzeut Arkeologjik të Durrësit janë dëshmi e përpjekjeve të fundit për përfundimin e një prej projekteve më ambicioze të restaurimit në vend. Me 93% të punimeve të kryera, muzeu pritet të hapet më në fund për vizitorët brenda pak muajsh.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti ishin të mëdha. Muzeu u bë pjesë e programit të Bashkimit europian EU4Culture, duke përfituar një financim prej 3.5 milionë eurosh, për resturimin e tij. Punimet e rikonstruksionit nisën në nëntor të vitit 2022, nën drejtimin e UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve) por jo gjithmonë paratë zgjidhin gjithçka.

UNOPS shpjegoi për Report TV se vonesat ishin shkaktuar nga mungesa e dokumentacionit për pronësinë e godinës.

“Një problem i rëndësishëm ka qenë nevoja për të regjistruar pronën ku ndodhet objekti i muzeut në emër të Qeverisë së Shqipërisë, në mënyrë që të mund të merrej leja e ndërtimit. Konkretisht, që prej përfundimit të ndërtimit të objektit të muzeut në fillim të viteve 2000, prona nuk ishte regjistruar kurrë në emër të ministrisë përkatëse të Qeverisë së Shqipërisë”.

Regjistrimi rezultoi një sagë e vërtetë dhe për një godinë në pronësi të vetë shtetit shqiptar aq sa në tabelën e punimeve për datën e përfundimit nuk kishte më një afat.

Edhe UNOPS pranon se “procesi i regjistrimit të pronës zgjati” dhe se “përfundimi i tij i suksesshëm zgjidhi të gjitha çështjet e mungesës së dokumentacionit për muzeun, që ishte një hap i domosdoshëm për të ardhmen e tij”.

Ndërhyrjet përfshijnë jo vetëm restaurimin e godinës por edhe ndërtimin e një hapësire të re magazinimi për ruajtjen e artefakteve, instalimin e një tende për skulpturat në oborr, pajisjen e ambienteve të brendshme me ekspozitorë modernë, zgjerimin e ekspozitës në dy kate të reja.

Sipas UNOPS-it në katin e sipërm do ketë hapësira për qëllime ekonomike e tregtare, që synojnë gjenerimin e të ardhurave për mirëmbajtjen e muzeut. Pas hapjes, muzeu do të ofrojë një përvojë të re për turistët, duke ekspozuar mbi 3000 artefakte që dëshmojnë zhvillimin e historik e kulturor të Durrësit nga periudha e Antikitetit deri në Mesjetë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?