Foto gjatë prezantimit të projektit për muzeun dy vite më parë

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë 4 vjet i kyçur, ja çfarë parashikon projekti i rikonstruktimit

7 Mars, 16:07| Përditesimi: 7 Mars, 17:04

  • Share

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet, do t’i ketë dyert të mbyllura për plot katër vite për t’iu nënshtruar restaurimit. Propozimi për rikonstruksion erdhi pasi muzeu është dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme gjatë tërmetit.

“Çarjet në suva dhe në strukturat mbajtëse vërehen në shumë sipërfaqe. Veshja prej guri në fasadë tregon çngjyrosje dhe është e lirshme; veçanërisht problematike paraqiten pikat e kontaktit ndërmjet sipërfaqeve vertikale dhe horizontale; Dritaret janë të zhvendosura dhe nuk funksionojnë më siç duhet.

Nuk ka kontroll mjedisor për sa i përket mbrojtjes së artefakteve të brishta; Kushtet relativisht të këqija të ruajtjes dhe mirëmbajtjes janë të dukshme në shumë dollapë ekspozimi, shumë prej të cilëve janë dëmtuar për shkak të ajrit të kondicionuar të pakontrolluar; instalimet elektrike, ndriçimi, ngrohja, ajrimi dhe klimatizimi (HVAC), mbrojtja nga zjarri dhe sistemi i alarmit nuk janë funksionalë”, njoftonte Eu4Culture programi i Bashkimit Evropian që do të marrë përsipër restaurimin.

Projekti i restaurimit parashikon një rikonceptim të hapësirave të Muzeut dhe forcim të strukturave ekzistuese, pa zgjerim hapësirash të brendshme në ndërtesë, por më shumë hapësirë ekspozuese për sektorë të tjerë.

Koncepti që propozohet përfshin idenë e të rrëfyerit historinë përmes objekteve, edhe sa i përket Etnografisë, Arkeologjisë apo Letërsisë vendase. Në riorganizimin e hapësirave po planifikohet edhe laboratori i restaurimit, bërja funksionale dhe e vizitueshme e katit nëntokësor (pjesë dhe Arkiva), por edhe rimodelimi i hapësirave të jashtme, për zona pushimi dhe ekspozita  në atriumin e Muzeut. Këashtu u bë me dije në nëntor të vitit të kaluar gjatë një prezantimi të projektit një ambientet e muzeut.

Dizajni i ri parashikon hapësira më të përhershme dhe të përkohshme ekspozimi, duke e bërë atë sa më dinamik. Gjithashtu është planifikuar të ketë më shumë hapësira edukative për aktivitete për fëmijë, si dhe takime ekspertëshi, librari, ambiente për vizitorët dhe hapësira të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve.

Projektimi për restaurimin e ndërtesës dhe rikonceptimi i ekspozitave muzeale vjen si një fazë e dytë ndërhyrjesh. Faza e parë përfshiu restaurimin e fasadës historike të Muzeut tashmë e finalizuar.

Ndërhyrjet e propozuara dhe që synohen të zbatohen për rehabilitimin e Muzeut Historik Kombëtar:
– Stabilizimi strukturor i strukturës së parafabrikuar të betonit
– Riparimi i sipërfaqeve të brendshme
– Riparimi i plotë i ekpozitorëve dhe përmirësimi i ekspozitave të përhershme dhe të përkohshme duke përfshirë standardin bashkëkohor të ekspozitorëve, ndriçimin, kontrollin e qarkullimit të ajrit/lagështisë
– Përmirësimi i njësisë administruese të muzeut
– Menaxhimi i riskut nga fatkeqësitë
– Programi dhe planet e mirëmbajtjes

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?