Kultura

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ekspozon për herë të parë botime religjioze të fondit muzeal

25 Shtator, 17:02| Përditesimi: 25 Shtator, 17:23

  • Share

Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë hapi dje ekspozitën me libra dhe botime religjioze, pjesë e fondit të tij muzeal. Për herë të parë, publikut iu prezantua një koleksion unik veprash, dikur të ruajtura në kisha dhe katedrale, të cilat dëshmojnë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të zonës.

Ndër veprat më të çmuara u veçua Ungjilli i Kishës së Ristozit në Mborje që i përket vitit 1737.

Po ashtu, u ekspozua një Ungjill i dhuruar nga filantropi Anastas Lakçe, si dhe një Dhjatë e Re, dhuratë nga familja e Ilia Petro Bratkos.

“Koleksioni përbëhej nga ungjij, nga libra shërbesash të cilat i kemi trashëguar nga kisha të ndryshme, nga e gjithë Shqipëria pothuajse dhe ne për herë të parë i ekspozojmë pas shumë e shumë shekujsh”,- tha Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Mesjetar

Në fjalën e tij muzikoligu dhe studiuesi Pandi Bello tha se Filantropia në Korçë ka qenë shumë e pasur. Përveç dhurimeve, ata kanë qenë të angazhuar edhe në mbrojtjen e kulturës, duke e pasuruar atë me botime jashtë Shqipërisë.

“Filantropia në Korçë ka qenë shumë e pasur, jashtëzakonisht krahasuar me qytetet e tjera, dhe ata kanë qenë personalitete që nuk kanë bërë vetëm dhurime. Ata kanë qenë tërësisht të angazhuar në mbrojtjen e kulturës, në pasurimin e kulturës me botime jashtë Shqipërisë, sepse është fjala për periudhën që Shqipëria ka qenë nën pushtimin Osman”,- u shpreh Bello.

Ekspozita jo vetëm prezantoi trashëgiminë e pasur të qytetit, por gjithashtu ndriçoi figurën e filantropëve dhe kontribuesve të kulturës, të cilët me veprat e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shpirtërore të Korçës.

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?