Inva Mula dhe Florian Vlashi

'Muzika dhe vera, një harmoni e përkryer', ja të fshehtat e Florian Vlashit në Bienalen 2019

31 Korrik 2019, 19:21| Përditesimi: 31 Korrik 2019, 19:27

  • Share

“Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer” është tema që ka përzgjedhur këtë vit violinisti Florian Vlashi dhe ekipi organizator i Bienales “Netët e Muzikës Klasike 2019”, që do të startojë më dt 1 në Durrës dhe do të vijojë deri më 7 gusht. Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupi instrumental “Shekulli i XX” do të hapë edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.

Aktiviteti që ka nisur në vitin 2003 ka mbërritur në edicionin e nëntë të tij-tha drejtori I përgjithshëm I festivalit Haig Zacharian, duke kujtuar se çdo dy vjet në pikat arkeologjike dhe qendrat historike të qytetit antik janë interpretuar vepra muzikore të autorëve vendas dhe të huaj. Edicioni i këtij viti bashkë me instrumentistët e njohur do të ndalet te harmonia e Muzikës me Venën, siç ka dashur ta quajë Florian Vlashi, jo vetëm për ta veçuar nga stina e nxehtë, por edhe për të ruajtur ngjyrën e dialektit durrsak-shton kompozitori Zacharian.

Zgjedhja, prezantimi dhe degustimi i verërave nga kantinat lokale dhe ato nga Spanja, Italia dhe Gjermania, do të bëhet nga somelierë gjithashtu vendas dhe të huaj si Luis Paadin, Alejandro Paadin, Dashamir Elezi e Jorgji Toska. Një bashkëpunim shumëplanësh dhe një përvojë e re për Bienalen, thotë Haig Zacharian në rolin e drejtorit të festivalit, teksa nënvizon edhe bashkëpunimin me znj Nevila Dudaj dhe stafin e hotel Adriatik.

Duke kërkuar të jetë sa më konçiz në përkufizimin e harmonisë Muzikë-Venë të këtij edicioni, themeluesi I Bienales Florian Vlashi shprehet: Duam të dëshmojmë se vera është kulturë, art dhe histori, si dhe një nga treguesit e mirëfilltë të qytetërimit, sipas Hemingëay-t; degustimi I verërave pas çdo koncerti prezantuar nga ekspertë të njohur si dhe nga artiste; 7 premiera shqiptare drejtuar nga dirigjenti Petrika Afezolli dhe nje spanjolle shkruar enkas për tematikën e festivalit; muzika baroke franceze aq pak e njohur; muzikantë të rinj shqiptarë me karrierë ndërkombëtare si Zamir Kabo, Juliana Laska e Daniel Vlashi; “Sax-

Ensambel Madrid” grupi më i njohur në Spanjë ne llojin e tij bashkë me "Grupo Instrumental Siglo XX", programi "Kryqëzime udhësh" mbi pelegrinazhin Shqipëri-Compostela, program i porositur nga Institucionet Kulturore të Spanjës si kembim ndërmjet dy vendeve; “Katër Stinet” e Vivaldit në Amfiteatrin Romak me Daniel Vlashin solist, 30 vjet pas premierës shqiptare në të njejtin qytet si dhe mbremja me sopranon e famëshme shqiptare "diamantin e artit shqiptar" Inva Mula e pianistin Genc Tukiçi që është njëherësh dhe hapja e Bienales.

Pa harruar ketu dhe Konkursin e Talenteve te Rinj-e mbyll fjalën e tij shteruese Florian Vlashi, I cili bashkë me stafin ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve.

Në natën e muzikës shqiptare do të interpretohen vepra nga Zacharian, Simaku, Shehu, Sina, Radoja, Buharaja, Bajraktari, etj., të cilat do të interpretohen nga formacioni i solistëve të Bienales nën drejtimin e dirigjentit Petrika Afezolli.

Perlat e muzikës baroke do të vijnë nga Orkestra Rinore e Durrësit që drejtohet nga Florian Vlashi. Një trio artistësh të rinj do të jenë protagonistë në natën kushtuar muzikës klasike, me vepra nga Haydn, Mozart dhe Bethoven. Një mbrëmje e veçantë i kushtohet edhe muzikës moderne me vepra të autorëve tanë dhe të huaj.

“Mëngjeseve nuk do të mungojnë koncertet në spitalin e qytetit, në shtëpinë e fëmijës apo në në institutin e edukimit për të mitur - shton violinisti Florian Vlashi, i cili që nga viti 1992 jeton dhe punon në La Corunja (Spanjë).

“E vështirë të thuhet në një paragraf të vetëm synimi i një projekti për të cilin punohet që prej dy vitesh-thotë instrumentisti 56-vjeçar nga Durrësi. Në fund të fundit, si thotë Baudelaire, në këto Netë të Muzikes Klasike "do të dehemi me verë, poezi dhe virtyt".

Muzikantët dhe Somelierët, një bashkëpunim i ri

-Flasin Florian Vlashi dhe presidenti i shoqatës së Somelierëve, Dashamir Elezi

- Si u njohët me Venën?

F. Për mua ka qenë një pasion i hershëm dhe rrugët e fatit më hodhën në Spanjë, në njerin nga tre vendet e botës me prodhimin më të madh të verës, të cilën e konsiderojnë Art dhe Kulturë.

D. "Njohja" ime me verën është e hershme, që në vitin '85. Atë kohë pata mundësinë të provoja verë nga Saint Emillon. Më pas, me largimin nga Shqipëria , pata mundësine të shkollohem e profilozohem tek sommelieria. Në 2005 krijova një grup dhe themeluam Sommelierinë Shqiptare.

- A e kujtoni se kur menduat për herë të parë për lidhjen e Muzikës me Venën?

F. Në rastin tim është një bashkim i dy pasioneve të mia, natyrisht e para është muzika. Kam shumë libra mbi lidhjen e hershme të Verës me Artin dhe Muzikën, lidhje mbi 5000 vjeçare. Kam dhënë dhe disa koncerte në Spanje mbi këtë temë. Pastaj, në shtepinë time në La Coruña, studio ku unë punoj me kantinën i ndajnë vetëm 2 metra. Dhe shpesh ngatërroj dyert.

D. Lidhja e muzikës me verën është universale dhe pluridimensionale, pasi Muzika konsiderohet habitat dhe pasqyrë e shpirtit, ndërsa vera ushqimi i saj.

- Si u njohët me njeri-tjetrin?

F. Na njohu tematika e kësaj Bienaleje. Ishte miku ynë i përbashkët, violonëelisti Pjeter Guralumi, i cili na lidhi. Më pas, nga bisedat me miq e kolege, u binda se Dashi ishte një institucion i sommelierise në Shqipëri, gjë që e provova dhe vetë kur u takuam dhe trokitëm gotat.

Ishte e hënë, 22 korrik, ora 16:30, fillimi i një miqësie të gjatë.

D. U njoha me Florian Vlashin pasi ai me telefonoi me ane te nje mikut te perbashket i cili i kishte sygjeruar bashkepunimin me mua.

- Tashmë Vena ka produksionin e vet shqiptar, njëlloj si muzika. Në fund të edicionit NMK 2019 sipas jush do të "triumfojë" Muzika apo Vena?

F. Besoj se do të ndihmojnë njera-tjetrën; muzika do të fitojë shije ndërsa do të dëgjojmë "shpirtin e verës duke kënduar në shishe" siç thotë poeti. Përfitoj të falenderoj Kantinën Bello që nisur nga kjo ide, në shishet e saj më prestigjioze, vendosi etiketën e Bienales.

Koncertet dhe degustimet do të bëhen pikërisht në momentin më poetik të mbrëmjes, atëhere kur dielli prek detin, duke realizuar kështu një vepër arti autentike të natyrës.

D. Do të triumfojë Bienalja e organizuar siç duhet ti ketë hije një aktiviteti të tillë kaq të veçantë. Audienca do të shohë, dëgjojë e shijojë perlat botërore të muzikës dhe verës. Të performosh muzikën e më të mëdhenjve të botës me maestro të kalibrit, si dhe të shijosh verën (të cilën për ta prodhuar duhet cilësi rrushi, teknologji, përkushtim e deri art) do të jetë nje event harmonik i papërsëritshëm.

- Kjo është veprimtaria e parë e këtij lloji. A do të ketë bashkëpunime të tjera?

F. Dëshira ime është ta mbaj këtë lidhje në ëdo edicion, të paktën, në njërën prej Netëve.

D. Bashkëpunimet e "verës" me "artin" kanë histori të hershme dhe sigurisht që do të vazhdojnë gjithnjë derisa të dyja këto , "ushqejnë shpirtin" - materialisht dhe mendërisht.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?