Kultura

Muzika e filmave të njohur, koncert nga orkestra e RTSH-së!

25 Korrik, 11:15| Përditesimi: 25 Korrik, 13:59

  • Share

Kolona zanore të filmave të dashur për publikun, shqiptarë e të huaj, janë interpretuar në një koncert ‘live’ në mjedis të hapur nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar.  Motivet muzikore të filmave “Piratët e Karaibeve”, “Aromë gruaje”, “Cinema Paradiso” apo “Liri a vdekje”, “Zonja nga qyteti”, “Mëngjese lufte”, “Mësonjtorja”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Dora e ngrohtë”, “Në fillim të verës”, “Skënderbeu” dhe “Lulëkuqet mbi mure” përcollën emocione te publiku i pranishëm në Parkun Rinia në një mbrëmje të ngrohtë vere.

“Repertori që luajmë është ndoshta repertori më i bukur i muzikës shqiptare sepse janë muzikat e filmave ndër vite të shkruara nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, si: Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Robert Radoja, Hajg Zaharian- përfaqësues të muzikës shqiptare. Unë emocionohem kur dëgjoj dhe ndoshta duke i luajtur vazhdimisht ka qenë insistim që këtë muzikë ta luajmë në çdo sezon të verës dhe kemi parë që ka impakt shumë të mirë.”, - thotë për “Report TV”, drejtuesja artistike e Orkestrës së RTSH-së, Blerta Ristani.

Koncerte të tilla, të mbajtura në sheshe apo amfiteatro, janë shndërruar tashmë në traditë për Orkestrën e RTSH-së gjatë stinës së verës, duke iu afruar një publiku më të gjerë, jo vetëm shqiptar, por edhe të huaj, të cilët vizitojnë vendin tonë.

“Ky është një nga qëllimet e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, që të bëjmë sa më shumë koncerte afër publikut, jo vetëm në salla. Ideja tjetër është që të afrohet publiku me muzikën e filmit shqiptar, që është një nga vlerat tona më të çmuara. Padyshim ka një lloj vështirësie, edhe për instrumentet, të cilët ndikohen nga kushtet atmosferike, ka sikletet e veta kjo histori. Mirëpo, sot, të paktën nuk fryu erë dhe partet nuk na fluturuan, kështu që ishte gjitha në rregull.”, - thotë për “Report TV”, dirigjenti Gridi Kraja.

Sipas tij, gjithë repertori i zgjedhur është shumë i bukur, edhe pse preferencat i anojnë nga filmat shqiptarë.

“Personalisht veçoj ‘Skënderbeun’ dhe ‘Lulëkuqet mbi mure’ e jo më kot i lemë në fund. Janë dy materialet që kryesisht emocionojnë më shumë, por ka plot materiale shumë të mira, si: ‘Liri a vdekje’, ‘Mëngjese lufte’.”, - vëren Kraja.

Pas këtij koncerti, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të vijojë me koncerte në ambiente të hapura edhe në qytete të tjera të vendit.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?