Muzika e lehtë shqiptare e humbi një nga korifejtë e saj. Sherif Merdani, këngëtari i lirisë u shua të dielën e 29 gushtit në moshën 81-vjeçare. Kjo lamtumirë e fundit, plot dhimbje, nderim, lot dhe lule nga familjarët, artistët dhe miqtë, gdhendi me shkronja të arta faktin se në historinë e artit shqiptar ai mbetet një nga themeluesit e traditës së festivalit të këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.
I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, Sherif Merdani kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh.Pse këndoi muzikë moderne, ai e humbi rininë e tij në burgjet komuniste. Kur komunizmi ra, artisti flokëbardhë rreth të 50-ave rinisi jetën dhe dashurinë në liri. U martua me Rozalbën, e cila ka qenë mbështetja e madhe e artistit, sidomos pas jetës së vështirë të burgut dhe u bekua me një djalë, Gerardin.
Lotët e butë dhe prekës të të birit Gerard Merdanit flasin shumë për artistin e madh.
“Marrëdhënien me të mund të ta përkufizoj me një fjali:
S’do të kisha zgjedhur kurrë baba tjetër. Nuk e kam ndjerë diferencën e madhe të moshës mes nesh. Nuk e ka jetuar jetën zi si 70-80 vjeçar. Ato vite ia kishin borxh. Ai ishte vital, me dashuri, respekt për jetën.
Ai në fillim të daljes nga burgu se mendoi kurrë se jeta do i jepte dhe gati 32 vite jetë. Që do martohej dhe do ta bënte prapë Shqipërinë që të fliste për të dhe që do të arrinte në këtë moshë. Muajt e fundit nuk ishin të lehtë as për të dhe as për familjen tonë. Kalvari i madh i vuajtjeve që ka kaluar, sëmundja e rëndë, mosha bashkë, s’kanë qenë të lehta. Preferojmë që ta mbajmë private atë pjesë.
Unë mendoj se krijimtaria e tij më e bukur ka qenë pas burgut, me perlën me Luan Zhegun “Se kënduam Let it Be’ dhe ‘Sinfonia e nënës’”, -thotë Gerardi.
Këngëtari njohur Luan Zhegu kujton me dhimbje vuatjet e artistit, ndërkohë që është krenar për krijimtarinë e përbashkët si kompozitor i këngëve të tij pas rënies së diktaturës.
“Përshtypjet për Sherif Merdanin kanë qenë të lidhura me emocionet. Sapo doli nga burgu takimin e parë e kemi patur bashkë. Unë nuk e njoha, sepse ishte me një kapele, por duke e parë te sytë dhe i dëgjova zërin, thashë:
-“Sherifi?”
-“Po”, -më tha.
U përqafuam dhe lotuam të dy. Emocioni tjetër ka qenë kur unë i kompozova këngën, “Se kënduan Let it Be”. Kënga pati jehonë të madhe.”, thotë Luan Zhegu.
Këngëtatri Kozma Dushi, e adhuronte Sherif Merdanin kur ishte i ri, dhe kujton kur e dënuan bashkë me dhjetëra artistë pas festivalit të 11-të në Radiotelevizionin Shqiptar.
“Sherifi i donte këngët me ritëm, me poezi. Ajo kohë ka bërë një super gabim të madh. Ai vetëm këndonte, shpirtin kishte. Edhe në Librazhd ku e takova unë, i dha atmosferë atij qyteti. Të gjithë e donin. Ajo që ka ndodhur me Sherif Merdanin s’duhet të ndodhte kurrë. Ai nuk e meritonte. Brezi i tij këndon akoma. Mesazhi i tij është që këngët janë të bukura, artistët janë të lirë, muzika të bëhej live, muzika të mos bëhej rrëmujë. Ai nuk i donte tallavatë e këto të tjerat. Sherif Merdani solli një mënyrë të re të të kënduarit”, -thotë Kozma Dushi.
Sherif Merdani do të mbetet një simbol për lirinë e interpretimit.
Ky zë i veçantë i muzikës moderne, i muzikës së lehtë shqiptare, edhe pas daljes nga burgu këndoi e mbeti një simbol i historisë së këngës.
"Ishte një lajm i papritur dhe shumë i hidhur, pasi ai nuk ishte vetëm një shok apo muzikantë, por ishte simboli i lirisë dhe krijimtarisë. Ishte simbol për lirinë e interpretimit që për rrethanat e kohës ai u dënua rëndë, ishte një ndëshkim i paragjykuar. Moment i lumtur ishte kur pas viteve 1990 shoh një njeri që më ngjasonin e të por ai kishte ndryshuar, ishte thinjës dhe ndryshuar në fytyrë. Sapo dëgjova zërin e njoha që ishte ai, donte të rindërtonte sërish jetën e tij muzikore. U bë simbol i historisë së këngës", -thotë Zhani Ciko
Simon Mirakaj ish i burgosur politik, shprehet se kur dëgjoi lajmin atje në burg se e kishin arrestuar Sherif Merdanin vetëm për këngën, e kuptoi se për atë dhe gjithë shqiptarët pas kësja do do të kishte një riburgosje.
Simboli i lirisë së këngës Sherif Merdani, nuk mund të largohej i qetë pa u bërë me shembullin e tij edhe simbol i lirisë dhe demokracisë së vërtetë.
Të parin shembull të kësaj demokracie e la tek shpirti dhe zemra e të birit.
“Babai më ka mësuar të mos hakmerrem, t’i dua njerëzit, por edhe mos t’i besoj kollaj njerëzve për atë që ka kaluar. Më ka mësuar vlerat e vërteta në jetë, e anës monetare e atë shpirtërore. Jam plot mësime nga babai im.”, thotë Gerard Merdani.
Zëri dhe arti i Sherif Meradnit depërtoi errësirën e diktaturës që lamë pas, ku ai i kaloi 16 vite të jetës në burg.
Sherif Merdani ishte i pasur me forcën krijuese dhe artin e fjalës, përherë një zë kritik dhe elokuent në trajtimin e problemeve të tranzicionit komunist, ku nuk është lodhur së ngrituri zërin për degradimin e festivalit të këngës.
“Ëndrra e Sherif Merdanit ishte që të rikthehej edhe njëherë në skenë festivali i 11-të.”, thotë Kozma Dushi.
Kjo ëndërr ju realizua dy vjet më parë me skenën e rikthyer të këtij festivali që kishte shënuar tragjedinë e jetës së shumë artistëve shqiptarë në BunkArt 1, muzeumin e diktaturës.
Sherif Merdani pas daljes nga burgu ka punuar edhe si diplomat në Ambasadën Shqiptare në Romë, ku ka përfaqësuar me dinjitet vendin e tij.
Aty kishte edhe lidhjet shpirtërore me këngëtarët që preferonte dhe që i këndonte në vitet 70 si Xhani Morandin e Massimo Ranierin, apo Adrianio Çelentanon.
Masimo Ranieri kur e ka takuar Sherif Merdanin në Tiranë, në Ambasadën Italiane është përlotur dhe i është përulur në ndjesë të plotë prej dhimbjes që këngëtari shqiptar u dënua pikërisht nga dashuria për këngën e tij, thotë maestro Zhani Ciko.
Këngët e kënduara pas burgut të Sherif Merdanit “Se kënduam Let it Be’ dhe ‘Sinfonia e nënës’” do të mbeten hite në historinë e muzikës shqiptare.
Këngëtari i njohur Luan Zhegu që ka kënduar e kompozuar këngën e tij, e quan një dedikim special, sepse kjo këngë i përket vetëm zërit të Sherif Merdanit.
“Unë këngëtar jam, por nuk do ta këndoja, sepse ajo këngë i përket vetëm Sherif Merdanit”, -thotë Luan Zhegu.
Këngëtari Sherif Merdani u largua nga kjo jetë duke marrë me vete gëzimet dhe dhimbjet e jetës. Dhimbja më e madhe e këngëtarit ka qenë lëndimi i zemrës së nënës kur atë e burgosën.
Kënga “Sinfonia e nënës”mbetet ndërsa tashmë ai do të banojë përjetësisht pranë saj në qiell.
Lamtumirë Sherif Merdani, këngëtar e simbol i lirisë.