Muzika qytetare tiranase, politikat përkrahëse të mbretit Zog dhe roli i diktaturës, muzikologu rrëfen si shmanget humbja e vlerave

26 Gusht 2020, 16:55| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 18:58

  • Share

Muzika popullore tiranase, si vlerë e shtuar e trashëgimisë shpirtërore kombëtare rrëfehet në studimin e shoqëruar me CD “Trashëgimia shpirtërore e Tiranës në muzikë” prej akademikut dhe muzikologut Vasil Tole, që prej krijimit e deri në ditët e sotme. Një copëz e vyer e kulturës dhe identitetit që mbart me vete emra me peshë Fitnete Rexha, Marie Kraja e Tefta Tashko,  instrumentistët e zellin krijues e interpretues të qyteteve të tjera, si Shkodra apo Elbasani, por edhe përpjekjet e familjeve të mëdha tiranase, që edhe falë politikave përkrahëse të mbretit Zog, të pasuronin kopshtin e trashëgimisë muzikore vendase me këngët popullore kryeqytetase.

“Gjatë marrjes me këtë subjekt, sa më rezulton mua, muzika popullore e Tiranës nuk ka një histori tipike, siç jemi mësuar kur studiojmë Polifoninë apo Eposin e Kreshnikëve, që gjithçka është brenda habitatit të vet. Ka ndodh diçka e çuditshme me studimin e muzikës së Tiranës, pasi mënyra se si Tirana u urbanizua si qytet reflektoi dhe fazat e zhvillimit të muzikës popullore qytetare të Tiranës. Rrethanat që bën që Tirana të ishte kryeqytet ndikuan, që të përshpejtohej procesi i konsolidimit të muzikës popullore tiranase, ku vëmë re që veglat e temperuara të bëhen bashkë dhe bashkëshoqërojnë muzikën tradicionale të atij qyteti apo rrethinave.  Po ashtu vitet ’30 janë vitet e konsolidimit të plotë të muzikës së Tiranës. Prandaj, mendoj se është muzika më e pandikuar në Shqipëri në pikëpamje të muzikës orientale.. Kemi një gjest unikal, ku këngëtaret më të mira të Shqipërisë, si Tefta Tashko regjistrojnë këngët qytetare të Tiranës. E rëndësishëm është edhe prezenca e familjeve më të rëndësishme të muzikës së Jugut në Tiranë, si familja e Hafize Leskofikut me vëllezërit e saj, që vijnë për të interpretuar muzikë live në kafen “Parisi”. Këto provohen dhe nga çifti i ‘bredharakeve” Gordon, që pohojnë se në vitet ‘25 interpretonin formacione të përbëra nga klarineta, violina, që provonin se tashmë se formacioni i artë i muzikës popullore të Tiranës ishte tashmë i krijuar”, rrëfen muzikologu Vasil Tole.

Shtratin identitar komunizmi, me indologjitë kundërshtare ndaj ndikimeve të huaja duket se e ruajti të paprekur, ndërsa disqet e para e RTSh-ja e afroi drejt një publiku më të gjerë.

“Pas viteve ’44 ndryshon diçka. Futja e politikës shtetërore në promovimin e kulturës etnike, u përdor dhe për të kufizuar ndikimet nga artet dhe kulturat e tjera, që lidheshin me parimet e ideologjisë komuniste. Është e rëndësishme, se pas viteve ‘44 nis procesi që është i njëjtë me digjitalizimin e sotëm. Nisi interesi publik i Radio Tiranës për këngë të RTSH-së. Pasi deri në atë vit fondi i RTSh-s ishte me disqe të viteve ‘30. Ndërkohë që tregu kishte nevojë për disqe të rinovuar. Në këto momente shfaqet puna e Ramadan Sokolit dhe Muharrem Gurrës në Pallatin e Kulturës, që evidentuan talente femra, si Fitnete Rexha etj. Në këto momente këngët popullore të Tiranës u bënë fenomen zyrtar. Pas sa mund të flasim për një lloj barazie të paraqitjes së muzikës së Tiranës në skenën kombëtare. Luajtën rol aktivitetet që shteti krijoi, jo të gjithë e dinë se festivalet e para janë bërë në Tiranë, në stadium, ku konkurronin formacione nga të gjitha rrethet”, tregon Tole.

Ndonëse pas 90-ës prurjet e reja mbeten të diskutueshme, e më shume i mëshohet përpunimit të këngëve të vjetra, përfaqësueset më të denja mbeten sipas Toles, Parashqevi Simaku dhe Merita Halili. Për këngëtaret e krijuesit e pas 90-ës Tole nuk kursen as sugjerimet, që kënga popullore tiranase të vijojë kultivimin e vlerave.

“Nuk e kam bërë objekt të librit atë që ndodh pas viteve ‘90, por kam përmend emrat që e mbajnë gjallë edhe e këndojnë mirë këngën popullore tiranase. Mendoj se çështja e trajtimit të muzikës popullore tiranase lidhet me profesionalizmin e saj. Të gjithë pasojnë njëri-tjetrin, duke konfirmuar paraardhësin edhe duke shtuar diçka për pasardhësin. Sfida e tyre është kjo, që të njohin historinë e kësaj kënge, që nga vitet ‘20, për të ardhur deri në këto vite, ku veçohet Merita Halili apo Parashqevi Simaku. Sfida e këngëtarëve të sotëm është të njohin eksperiencat e paraardhësve edhe nëse i studiojnë, kësaj muzike nuk i avitet asnjë rrezik. Pjesa e këngëtarëve serioz e njohin këtë pjesë”, përfundon Tole.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 27/08/2020 01:28

    Te them te drejten me pare muzika popullore e Shqiperise se Mesme me dukej komplet turkoshake,ne fakt duket se ka shume ngjyrime turke,por ama ne krahasim me muziken tallava qe preferohet sot,duket lule.Sa poshte kemi rene ne shijet muzikore!

    Përgjigju
    • greta: 09/12/2020 09:46

      eshte gabim te krahasosh tallavane me kengen tiranase. tallavaja eshte bejte e shoqeruar me "ulerima"muzikore te pavlera,ndersa muzika tiranase ka kompozitoret dhe kengetaret e saj qe e perfaqesojne.muzika tiranase nuk eshte muzike turke,por nuancat qe mund ti shtojne disa kengetare dhe vecanerisht ato qe i perkasin tallavase,mund ti japin nje ngjyrim turk,por nese kendohen sic duhet sic i ka kenduar Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Shazije Dollaku, Parashqevi Simaku,Merita Halili etj atehere e kupton vleren e saj. persa kohe nuk ka pas ndikime te huaja, muzika tiranase ka qene autentike,por edhe sot ka akoma kengetare qe e ruajne autenticitetin e saj.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?