Qyteti i Pogradecit ishte ndalesa e radhës e turit festiv ‘Fresh Summer’, që mbrëmjen e djeshme solli një atmosferë të gjallë dhe energjike në sheshin qendror të qytetit. Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës shqiptare, ndërsa për të pranishmit u zhvilluan edhe numra akrobacie, duke krijuar një spektakël të plotë për pogradecarët dhe pushuesit.
Organizatorja, Elda Koçi tha se ky koncert vjen si një fllad veror për publikun, duke sjellë energji pozitive dhe artistë të dashur. Sipas saj, ‘Fresh Summer’ do të vijojë në qytete të tjera të vendit me të njëjtin ritëm festiv.
Në mesin e artistëve që performuan, ishte edhe këngëtarja pogradecare Ermira Babaliu, e cila u prit me duartrokitje të zjarrta nga publiku vendas. Ajo ndau emocionet e saj për këtë rikthim dhe paralajmëroi një projekt të ri muzikor që pritet të zhvillohet pikërisht në Pogradec.
Një tjetër moment i veçantë ishte edhe rikthimi në skenën e qytetit i këngëtarit të ri Xhoni Jesku, i cili e nisi pikërisht këtu rrugëtimin e tij muzikor. Ai falënderoi publikun pogradecar për mbështetjen e vazhdueshme dhe energjinë që i përcolli gjatë performancës.
Në skenë nuk munguan as të ftuarit specialë - “3 Musketierët”, të cilët shtuan atmosferën festive, ndërsa numrat akrobatikë rrëmbyen duartrokitjet dhe emocionet e publikut. Koncerti zgjati për disa orë dhe u mbyll nën ritmet e këngëve më të njohura të verës, të kënduara bashkë me publikun.
Komente
