Myrto Uzuni, sulmuesi i Granadas dhe kombëtares shqiptare ka bërë një rrëfim për të përditshmen spanjolle AS. Beratasi me 21 gola në 34 ndeshje është golashënuesi më i mirë në La Liga 2 në Spanjë, duke thënë se Granada do ngjitet direkt këtë sezon mes më të mirëve të futbollit në Spanjë.
"Granada kërkon gjithmonë fitoren në të gjitha ndeshjet, por nuk është e lehtë. Duhet të mësojmë nga gabimet tona dhe të shikojmë nga e ardhmja. Në futboll, gjërat nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç duam ne, duhet të përmirësohemi. Ne do të ngjitemi direkt, nuk ka dyshim. Nuk jam nervoz, golat do të vijnë, e di aftësinë dhe cilësinë time, jam i sigurt se do të shënoj më shumë gola në ndeshjet e ardhshme. Unë gjithmonë dua më shumë, do të vazhdoj të punoj dhe shpresoj shumë që të shpallem golashënuesi më i mirë këtë sezon", tha fillimisht Uzuni.
Më pas shqiptari u ndal edhe te idhulli i tij, Ronaldo dhe emocionin që ndjen në La Liga 2 me Granadan.
"Në Granada ndihem si në shtëpinë time, njerëzit më duan dhe ky ekip më dha mundësinë për të përmbushur ëndrrën time. Gjithmonë kam parë Messin dhe Ronaldon që kanë luajtur në La Liga, Cristiano është idhulli im. Sakrifica që bëjnë tifozët është e pabesueshme, janë më të mirët që kam parë ndonjëherë. Në shtëpi nuk kemi humbur sepse kemi tifozët tanë. Më vjen mirë që vijnë në "Vitoria" për të na brohoritur, këtu njerëzit jetojnë për futbollin”, deklaroi Uzuni mes të tjerash.