Myslym Murrizi dhe Sali Berisha

Politikë

Myslym Murrizi ironizon rinumërimin për Tiranën: U nisën të marrin një mandat shtesë për PD, por e vetmja fitore ishte ‘rrëzimi’ im nga froni

28 Qershor, 12:50| Përditesimi: 28 Qershor, 15:51

  • Share

TIRANË- Ish-kandidati për deputet nën siglën e PD, Myslym Murrizi ka ironizuar procesin e rinumërimit, pasi u përmbyll për Tiranën, qark në të cilin edhe garoi. Nga procesi i rinumërimit, atij iu zbritën 57 vota të pamerituara, ndërsa kandidati tjetër Asllan Dogjani e kaloi në renditje duke e lënë pas Murrizin edhe pse asnjëri nuk futet në Kuvend.

Me ironi Murrizi shkruan se anëtarët e PD në KAS ndihmuan në shuarjen e “luftës” së brendshme dhe “betejës” për vjedhjen e votave, ndërsa thekson se këtë proces opozita e kërkoi me bindjen se do merre mandatin e katërt në Tiranë, pro në fakt iu zbritën 612 vota të tjera.

Ish-kandidati për deputet thotë se e vetmja “fitore” nga i gjithë ky proces nga të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 majit ishte “Rrëzimi i Murrizit” nga “froni”. E madje, Murrizi shton se ka qenë porosi pothuajse nga çdo “lider”, “udhëheqës” apo drejtues dege që mos të mbështesnin ‘rebelin’ dhe ‘armikun permanent’ Murrizi.

“Procesi i “rinumërimit” nga administrata e KQZ mbaroi. Anëtarët e PD në KAS ndihmuan në shuarjen e “luftës” së brendshme dhe “betejës” për vjedhjen e votave me zetor 28, traktor 54 apo trena pune të modelit sovjetik, bullgar e kinez. U kërkua dhe u nis me “bindjen” që PD do të merrte një mandat shtesë nga votat e pavlefshme dhe humbi 612 vota të tjera.

Nga PD rezultoi se 29 kandidatëve të listës së hapur u janë hequr 1202 vota gjithsej dhe 8 kandidatëve të tjerë u janë shtuar 139 vota gjithsej, ndërsa nga PS rezultoi se 32 kandidatëve të listës së hapur ju janë hequr 2490 vota gjithsej ndërsa 5 kandidatëve u janë shtuar 92 vota gjithsej. Pra nga i gjithë ky proces “rinumërimi”, ose rivlerësimi doli që 61 kandidatë të PD dhe PS së listës së hapur kanë patur gjithsej 3553 vota të “pa merituara” dhe 13 kandidateve të tjerë u janë “hequr” në mënyrë “kriminale” 231 vota gjithsej.

E vetmja “fitore” nga i gjithë ky proces nga të gjitha forcat politike pjesëmarrëse ne zgjedhjet e 11 majit ishte “Rrëzimi i Murrizit” nga “froni”. Pra 48 punonjësit e KQZ kanë “rivlerësuar” jo rinumëruar se 57 vota për Murrizin janë quajtur të vlefshme nga rreth 1000 numërues “tradhtar” të PD dhe PS në 18 ZAZ e Qarkut Tirane, ndërsa sipas këtyre janë të pavlefshme.

Pra qëllimi u arrit. U nisën për t’i shtuar një mandat PD dhe “rrëzuan Murrizin” me një vend në renditje. Njëlloj si në shkurt 2019 kur Luli dhe luljetat thirrën protestë për të “rrëzuar Ramën” dhe më përjashtuan mua. Mirëpo për fat të “ keq” koha më dha të drejtë saqë detyroi Kuvendin Kombëtar të PD në prill 2022 të miratojë rezolutë që kurrë nuk do të djegin më mandate dhe kurrë nuk do t’i falin më bashki Ramës.

I falënderoj me shpirt të gjithë numëruesit pa përjashtim për “sakrificën” e madhe dhe “heroizmin” që kanë treguar duke “favorizuar”, “përkrahur” dhe “ndihmuar” pa masë “armikun” Murrizi me 57 vota dhe duke bërë të mundur që të renditej një vend me lart.

Një falënderim i veçantë ju takon numëruesve të PD që kanë “rriskuar” shumë me këtë “favorizim” të patolerueshëm kur porosia pothuajse nga çdo “lider”, “udhëheqës” apo drejtues dege ka qenë që zero mbështetje rebelit dhe “armikut permanent” Murrizi.

Por që falë “syrit vigjilent” të punëtorëve të partisë në KAS dhe punëtorëve të KQZ në “rinumërim”, që në fakt ishte rivlerësim me seleksionim që mesa kam info unë janë familjarë, kushërinjtë, kunetër, nipër e mbesa dhe rreth familjar të miksuar PD, PR dhe PS, “armiku” Murrizi e mori “dënimin” dhe nga 7289 vota do të ketë 7232, nëse nuk do të ketë ndonjë “ankesë” për “rinumërim” tjetër.

Jo 57 vota, por edhe 570 edhe 1570 të më hiqni, po ju garantoj që ju mund të ndryshoni renditjen e kandidatëve sipas KQZ për buletin informativ, por kurrë renditjen për mandatet në Kuvend, sepse atë e dini shumë më mire se unë që nuk e ndryshoni dot me “rinumërim”.

Atë renditje e keni pothuajse të përcaktuar jo nga Murrizi, por nga miqtë, shokët dhe kolegët tuaj që ju kanë denoncuar në SPAK ku hyni si të “qeshur” e dilni si te dhjerë një nga një sipas renditjes që keni “fituar” nga lëpirjet, nga tarifat apo nga “rinumërimi”", shkruan Murrizi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rinumërimi i Tiranës, a e rrëzoi pretendimin e Berishës për manipulim?