'Mythodea', ekspozohen veprat e fundit të Bajos, bashkëshortja: Ishte si amanet! Kuratori: ‘Rënia e Pegasos’, sikur rrëfen humbjen e mikut tonë

13 Tetor 2022, 20:56| Përditesimi: 13 Tetor 2022, 22:56

  • Share

Do të mbeteshin në kujtesën e Arben Bajos, tingujt e “Mythodea-s”, të kompozitorit Vangelis, që performoheshin në tempullin e Zeusit në Athinë… Kompozimet e tij të fundit në skulpturë, emërtohen njësoj. Nga Odisea i lidhur, Uliksi tek del nga shpella e Polifemit a përbindshi Minotaur, 20 krijesat e tij të fundit, frymojnë art në galerinë “FAB”.

"Ishte si një amanet që unë doja ta realizoja medeomos, si një dëshirë e tij që kjo ekspozitë të çohej deri në fund. Sot ndihem shumë e emocionuar, për faktin se ja arritëm ditës, që të mbahej ekspozita e mbetur pas, e menduar për në prill të 2020-ës. Por për shkak të pandemisë dhe humbjes së Benit ajo mbeti pa u hapur", rrëfen Teuta Bajo, bashkëshortja e skulptorit të ndjerë. 

"Beni ishte një skulptor i jashtëzakonshëm, për ne edhe një mik i tillë. Një person plot dashuri, që na plotësonte jetët në mënyrat e tij. Dhe si i tillë për ne dhe bashkëshorten e tij, ishte me shumë rëndësi që të mbahej kjo ekspozitë, e ideuar prej Teutës. Kështu që së bashku me Ardian Kapon, ne morëm përsipër të propozonim simfoninë e tij të fundit", thotë studiuesi Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës.

Është një nga artistët që humbëm gjatë pandemisë, dy vite më parë. Arben Bajo sot do të shënonte datëlindjen e 55-të. Në qendër të ekspozitës, “Rënia e Pegasos’, më e fundit vepër e tij,  që duket sikur bërtet vdekjen e krijuesit.

"Është një vepër unike në artin shqiptar. Një Pegaso i rënë nga qielli, i kthyer në simbol edhe të humbjes së artistit, qoftë edhe të realitetit të dimensionit shpirtëror të njeriut", shton më tej studiuesi i artit pamor.

Si “Penelopa”, që Bajo ka gdhendur për këtë cikël, Teuta është aty! Rojëtare besnike e dashurisë së tyre, dhe veprave që artisti la pas.

"Tani unë e kuptoj më mirë çka ndjente Beni, në çdo ekspozitë që hapej. Ndonëse këto emocione jam munduar t'i mbaj brenda pa i shprehur. Sepse unë shikoja nervozizmin e tij, se si vepronte dhe nuk arrija ta kuptoja plotësisht se sa preokupim i madh është të ç​​​​​​​elësh një ekspozitë", rrëfen Teuta.

 

I frymëzuar nga mitologjia e librave antik që mbante në studion e tij e figurat e zeza të vazove greke, skulptori, siç thotë kuratori Ermir Hoxha abstragonte, me qëllimin final që vepra e tij të derdhej në bronz. E në shumë prej personazheve mitologjikë qoftë  Herkuli, Odisea a Uliksi, gjejmë Bajon të personifikuar.

"Në fatin e vet të trishtë kjo ekspozitë ishte një nga ekspozitet më kulmore të krijimtarisë së tij. Sepse Zhvillohet në dy linja të ndryshme, njëra i takon marrëdhënies së Benit me mitologjinë, ku ai vendos veten e tij në vetë të parë, duke u materializuar herë si Odisea, herë si Minotauri... dhe të gjitha këto kishin të bënin me filozofinë e tij të jetës, sesi ai mundohej ta personifikonte veten me mitologjinë për të ngritur gjeagjëzën universale të gjinisë njerëzore. Ndërsa linja e dytë ka të bëjë me mitologjinë në vetë të parë, që ai e rrëfen në mënyrë shumë të rafinuar e bashkëkohore", shprehet kuratori.

Shumë prej këtyre skulpturave, do t’i jepnin hapësirave publike një tjetër frymë.

"Çdo artist do të kishte dëshirë t'i shikonte veprat e tij monumentale në hapësira publike, por kjo varet nga projektplanet që kanë Ministria e Kulturës dhe Bashkia", thotë më tej bashkëshortja e Bajos.

Ka ende vepra të paekspozuara të skulptorit… Ndërsa ekspozita pret vizitorët deri në 12 nëntor, bashkëshortja Teuta, zbulon se projektet e ardhshme janë një ekspozitë retrospektivë si dhe nxjerrja në dritë e  vizatimeve të hershme të Bajos, të paekspozuara më herët.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?