Një kopsht zoologjik në Danimarkë u ka bërë thirrje për donacione pronarëve të kafshëve shtëpiake, përfshirë lepujt, pulat, kaviet dhe madje edhe kuajt e vegjël, jo për t’i ekspozuar, por për t’i përdorur si ushqim për grabitqarët që mbajnë në ambientet e tyre.
Në një postim në Facebook, Kopshti Zoologjik i Aalborgut deklaroi se është duke u përpjekur të "imitojë zinxhirin natyror ushqimor të kafshëve".
“Pulat, lepujt dhe kaviet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së grabitqarëve tanë”, shkruhej në postim, i shoqëruar me një imazh të një rreqebulli me nofull të hapur dhe dhëmbë të mprehtë.
“Në këtë mënyrë, asgjë nuk shkon dëm, dhe ne sigurojmë sjellje natyrale, ushqim të përshtatshëm dhe mirëqenie për grabitqarët tanë,” shtoi kopshti zoologjik.
Në faqen zyrtare, kopshti bën të ditur se kafshët e dhuruara do të “eutanazohen me kujdes” nga personel i trajnuar përpara se të përdoren si ushqim. Ndër grabitqarët që strehohen aty janë luani aziatik, rreqebulli evropian dhe tigri i Sumatrës.
Thirrja publike ka nxitur debat në rrjetet sociale, ku disa e kanë kundërshtuar idenë e përdorimit të kafshëve shtëpiake si ushqim për grabitqarët, ndërsa të tjerë e kanë përshëndetur përpjekjen për të ruajtur zakonet ushqimore natyrore të tyre.
Zëvendësdrejtoresha e Kopshtit Zoologjik të Aalborgut, Pia Nielsen, deklaroi për The Guardian se kjo praktikë është ndjekur prej vitesh dhe është e zakonshme në Danimarkë.
“Prej shumë vitesh, në Aalborg Zoo kemi ushqyer grabitqarët tanë me kafshë të vogla shtëpiake. Kur mban grabitqarë, është e domosdoshme t’u sigurosh mish, për t’u ofruar një dietë sa më natyrale”, tha Nielsen.
Ndër kafshët që zakonisht dhurohen janë pulat, lepujt, kaviet dhe kuajt.
Kjo nuk është hera e parë që praktikat e kopshteve zoologjike në Danimarkë ngjallin debat.
Në vitin 2014, Kopshti Zoologjik i Kopenhagenit u kritikua gjerësisht pasi eutanazoi një gjirafë, për të shmangur çiftëzimin brenda të njëjtit gjak.
Trupi i gjirafës u përdor për kërkime shkencore dhe për të ushqyer grabitqarët si luanët, tigrat dhe leopardët.
Vetëm pak javë më pas, i njëjti kopsht zoologjik u përball me kritika të ashpra pasi eutanazoi katër luanë, për të liruar vendin për një mashkull të ri në kuadër të një programi riprodhimi.
Komente
