Këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
I pari që dëshmoi ishte, Valon Lluka, personi i parë që Naim Murseli kontaktoi menjëherë pas ngjarjes.
Ai tregoi momentet e para pas telefonatës së çuditshme, të bërë nga një numër i panjohur, dhe bisedën e ngarkuar emocionalisht që zhvilloi me Murselin.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurores, Lluka shpjegoi bisedën e parë që pati me Murselin, duke theksuar se telefonata ka ardhur nga një numër i panjohur.
Pjesë nga dëshmitë në seancë:
Prokuroria: A jeni i vetëdijshëm që ju jeni personi i parë që Naim Murseli ka kontaktuar pas vrasjes së bashkëshortes së vet?
Sipas dëshmitarit, telefonata ka ardhur në orën 08:32 të mëngjesit. “Më telefonoi nga një numër që përfundonte me 417, nuk e njihja. Më shkroi: ‘Urgjent, çele! Urgjente, Naimi!’”, tregoi Lluka. Fillimisht, ai nuk e kishte kuptuar se kush po e kërkonte.
“Ja kam kthyer: ‘Më falni, cili Naim? Jam me mysafirë’. Ai më tha: ‘Murseli, o Valon, na kanë vrarë’.”
Prokuroria pyeti nëse në atë moment i ishte thënë qartë se bashkëshortja e Naimit ishte vrarë.
“Po, e ka cekur që na kanë gjuajtur dhe na kanë vrarë në këtë formë”, deklaroi dëshmitari.
Lluka shtoi se Murseli nuk i tregoi vendndodhjen nga po telefononte, dhe gjithashtu theksoi se telefonata nuk ishte bërë nga aparati i tij personal.
Komente
