Projekti i dhëndrit të Trump për Sazanin

Frrok Çupi: Na morën Donald Trampin!

20 Mars, 09:17| Përditesimi: 20 Mars, 09:31

  • Share

Edhe pse presidenti Trump u doli duarsh, mund të kishin gjetur një ngushëllim sot. Bie fjala, një ngushëllim do të ishte sikur të shpallin zotin Todd D. Robinson si engjëll mbrojtës në vend të Donald Trump tradhtarit. Sapo tradhtari është vendosur në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, me mikpritjen e Edi Ramës, në Tiranë zbret nënsekretari për çështjet internacionale kundër Drogës e Krimit. Zoti Robinson ka ardhur sot nga Amerika.

A tradhtoi zoti Trump?

Donald Trump nuk bëri asnjë premtim se ‘do të lironte nga burgu dhe nga non-gratra’ Sali Berishën,  por këta e kishin thurur ëndrrën në netët e tre dimrave që nga viti 2021. As Donald Trump, as e bija, as dhëndri nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se ditkan kush qenka ky Sali që u përgjëroka ndaj familjes bionde të Amerikës. Sidoqoftë, kjo më ngjan me një tregim të viteve para ’80 që më ka mbetur në shënimet nga një fshat i Dropullit. Zonja, mbi të shtatëdhjeta, vinte çdo ditë të mbushte ujë në një zgafellë. Tërhiqte katruvat me ujë por nën shkëmb linte një letër të shkruar me dorë. Letra drejtohej për në Amerikë, te një djalë i emigruar nga po ky fshat, Goranxi. Sipas zonjës, prindërit e kishin fejuar me djalin nga fshati, të cilin as e kishte parë kurrë. Por për pesëdhjetë e ca vjet me radhë, vajza që po i afrohej shekullit, i shkruante letra të fejuarit. Gruaja do t’i binte këmbës po ta pyesje se “a i merr letrat djali?”.

As mund ta vije në dyshim, vajza që mbushte ujë i shkruante letra të fejuarit në Amerikë, dhe kaq ishte. Këta që ‘humbën’ Donald Trump sa hap e mbyll sytë, këta mund të kishin krijuar lidhje tjetër, për shembull me zyrtarin e lartë Todd D. Robinson. Mund të kishin thënë se zoti Robinson ka ardhur në Tiranë në mbështetje të zotit Berisha, që t’i heqë titullin ‘non- grata’ dhe ta lirojnë nga burgu. Aq më tepër mund ta kishin bërë të besueshme përrallën për shkak se puna e parë që bëri Todd, u drejtua për në Prokurorinë dhe Gjykatën Speciale kundër  Krimit dhe Korrupsionit (SPAK). Këta, me një shkathtësi sajesash të llojit të tyre, mund të kishin deklaruar se ‘tani të shikoni çfarë do të bëjë zoti Robinson! Tani do t’i kapë me shpulla Dumanin, Krajën, Gjokën…’ pse e kanë lidhur në burg shtëpie ‘legjendën’.

Po dilema?! Sikur zoti Robinson të ketë ardhur në SPAK bash për të inkurajuar burgosjen e të korruptuarve?! E keqja se kujt t’i besosh tani, mos besoni as te zoti Robinson. Ja kështu janë ndërtuar tregimet banalë me ‘shoku ynë Trump’. Gjithë marrëzia u ndërtua sikur Donald Trump po vuante me natë e me ditë atje në Amerikë, derisa të zgjidhej prapë president dhe menjëherë ‘të rrihte me shpulla prokurorët shqiptarë, kryeministrin, presidentin, Lulin, sekretarin Blinken, zonjën Kim, madje edhe vetë zotin Biden. Fillimisht deklaruan në publik një gjykatës në Francë, emrin e të cilit e kapën në një faqe interneti, dhe thanë ‘ai po e mbron legjendën, do ta shikojmë ç’do t’i bëjë Blinkenit!’. Pastaj e ulën stekën e shkuan te Beleri i Himarës, duke nënkuptuar Greqinë. Ca prej tyre lëshuan zëra se ‘mjerë ju që merreni me Greqinë, ajo ju bën copë!’. Më në fund…, sapo kishin vendosur të mos i ndaheshin presidentit Donald Trump. Ai ‘po vjen në pushtet’, sa të vijë u zgjidh puna. “Donald Trump është si ne, i djathtë dhe i ndershëm…!”, lëshuan zëra ata që mblidhen poshtë ballkonit çdo mbrëmje. Të gjithë flisnin për veshët e  budallenjve dhe të gjithë ushqeheshin si budallenj…

Tani nuk e kanë Donald Trampin. Ua mori Edi Rama. Më budallenjtë e besojnë se Edi bëri rrugë shko- eja në Amerikë derisa e bindi presidentin që ‘të mos rrijë poshtë ballkonit’; dhe ia doli. Ata më perversët thonë se ‘Edi i fali tokën shqiptare për t’ia marrë Trampin legjendës Berisha’. E tëra ndodhi sa hap e mbyll sytë, sipas tyre. Dhëndëri dhe këshilltari diplomatik i Trump, zoti Kusner, ka vendosur të investojë mbi 1 miliardë dollarë në ishullin shqiptar Sazan dhe në kryeqytetin serb, Beograd. Kjo është, Trump u bë me Ramën. Prapë flasin për budallenjtë. Investimi i madh që po ndodh në vendin tonë, ndodh sepse Berisha varet lart në ballkon; ndryshe militarët e PD do të ishin duke vjedhur akoma armë në Sazan. Por për pjesën tjetër shumicë popullore, ngjarja e bujshme që sapo ndodhi me Sazanin, po përcillet me qesëndi: ‘Po ta mori Edi edhe Trampin o Sali, s’e mbajte dot a i zi!?’

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?