Egnatia dhe Dinamo luajnë nesër në 14:00 për javën e tetë në Superligë. Dueli zhvillohet në "Arena Egnatia" të Rrogozhinës, me Blutë që kanë përballë ekipin kryesues të Superligës.
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Dinamos, Luigi Di Biagio. Italiani tha se pas fitores me Laçin dhe barazimit me Vllazninë, klima në ekip është e mirë. Për të, ndeshjet duhet të fitohen pasi ekipi i tij luan një lojë të mirë.
"Dy rezultatet e mira radhazi janë diçka e mirë, por ndeshja me Vllazninë ishte e çuditshme, ndoshta duhet ta kishim vendosur në favorin tonë. Synimi ynë është të ruajmë vazhdimësinë, kemi pësuar 1 gol në këto dy ndeshje, edhe ai që erdhi ishte nga 11 metra. Jam i lumtur me ecurinë e skuadrës, sepse janë sinjale që skuadra jonë është rritur. Ndeshjet e fundit nuk është se kemi pasur shumë fatin me vete, kemi folur me njëri-tjetrin dhe duhet më shumë kujdes, pasi situata me kartonat i vështirëson punën skuadrës tonë, duhet të ndryshojë pasi kemi pësuar gola nga 11 metra", tha trajneri.
Italiani më pas u ndal edhe te loja e mirë dhe e bukur e të tijve, teksa sipas tij problem është finalizimi.
"Ndaj Erzenit në pjesën e dytë luajtëm më mirë, jemi ekip në rritje, sigurisht kemi mangësitë tona, meritonim të kishim pikë më shumë. Skuadra jonë është e bukur për t'u parë, na mungon veç goditja përfundimtare për të vrarë ndeshjen. Sigurisht fajin e kemi vetë dhe po përpiqemi t'i rregullojmë gjërat, duke filluar që nga ndeshja e radhës. Kam 4 mungesa, ata që do të luajnë do të bëjnë më të mirën”, deklaroi ai.
Pas javës së shtatë në Superligë, Dinamo me shtatë pikë mban vendin e parafundit në renditje.