Mediat italiane së fundmi kanë publikuar detaje të reja në lidhje me vrasjen e 27-vjeçares, Vanessa Ballan, e cila ndodhi mëngjesin e së martës (19 dhjetor), në Treviso, Itali. 41-vjeçari nga Kosova, Bujar Fandaj u arrestua pasi akuzohet se vrau me thikë 27-vjeçaren Vanessa Ballan, në hyrje të shtëpisë së saj.
Së fundmi, pas ngjarjes tragjike kanë reaguar edhe kolegët e 27-vjeçares. Ata kanë folur për mediat italiane, duke u shprehur se 41-vjeçari e përndiqte atë në vendin e punës, shkonte disa herë në supermarketin ku punonte Ballan e cila ishte shtatzënë. Ata thanë se ai bënte blerje shumë të vogla dhe më pas largohej.
“Së fundmi na tha se ishte e frikësuar. Në tetor ajo na tha se kishte shkuar për të bërë një kallëzim përndjekjeje”, thotë një kolege e Ballan për median italiane.
Sipas raportimeve Ballan dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me Bujar Fandaj, të cilës dyshohet se i ka dhënë fund pak kohë më parë. Kjo ka qenë dhe arsyeja e konfliktit mes tyre, ku 41-vjeçari shqiptar e shantazhonte se do t’i publikonte video intime. Ajo kishte pasur një lidhje që përfundoi në verën e vitit 2023, dhe që prej asaj kohe ai e kishte përndjekur.
“Ai vinte shpesh këtu. Ndoshta e ka bërë me justifikimin se ka marrë vetëm një gjë, ka pasur ditë që e kemi parë deri në katër herë në mëngjes. Ajo padyshim ka reaguar e mërzitur dhe në periudhën e fundit kishte frikë. Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes", ka thënë një koleg i saj.
"Do të flasim me kompaninë sepse ne dua të bëj diçka për të kujtuar Vanessën”, tha një tjetër kolege, e cila konfirmoi se e kishte parë 41 vjeçarin shpesh të kalonte në supermarket: “Ai ishte i qetë në shikim të parë por nuk fola kurrë me të.“