Dosja voluminoze e operacionit ‘Ura’ është finalizuar nga Antimafia në Itali dhe SPAK-u në Shqipëri fal ndihmës së madhe që u ka dhënë dekriptimi i të gjitha bisedave, fotove, filmimeve apo mesazheve të ndryshme të koduara në platformën e SKY ECC.
Këto prova janë ballafaquar me dëshmitë e tre të penduarve, mes tyre edhe Nuredin Dumanit në Shqipëri dhe më pas janë gjetur dëshmi dhe detaje të tjera plotësuese.
Ky zbërthim ka çuar deri tani në goditjen e një prej organizatave më të mëdha kriminale shqiptare dhe dy italiane, me 52 fletë-arresti në total, nga të cilat shumica janë për shqiptarë dhe të ekzekutuara.
Një prej episodeve në dosje është edhe trafiku i një ngarkesë të madhe me anije tregtare nga Kili në Amerikën Latinë me destinacion portin e ‘Goia Tauro’ në Kalabri të Italisë më 5 nëntor 2020. Bëhet fjalë për një ngarkesë 932 kilogram kokainë në konteiner me midhje, që është identifikuar nga SPAK, si një ngarkesë që i përkiste klanit të Elvis Doçit alias “Visit të Pojës” në Durrës apo i njohur ndryshe si “grupi i Troplinëve”.
Sasia ishte e cilësisë së lartë dhe mund të ndahej deri në 4 herë, me një fitim total që shkonte deri në 200 mln euro në treg pakice. E ndarë në 800 ‘tulla’ dhe e futur në 37 thasë, ajo u sekuestrua nga zyrtarët e Agjensisë Doganore të “Gioia Tauro”, së bashku me ushtarët e komandës Provinciale të “Reggio Calabria” dhe Drejtorinë Antimafia të Qarkut.
Në atë kohë porositësit, pritësit dhe pronarët e vërtetë të ngarkesës nuk njiheshin dhe ngjarja ishte pa autorë. Por zbërthimi së fundmi i SKY ECC nga SPAK-u ka nxjerrë në pah grupin e ‘Visit të Pojës’.
Në 2024 oficerët e BKH-së, përmes leximit të bisedave në aplikacionin “Sky”, kanë mësuar rreth përmbajtjes së tyre, ku flitej për kapjen e një sasie të madhe droge në nëntor 2020. SPAK kërkoi më tej nga Italia po vitin e kaluar, materialet e dosjes për ngarkesën me rreth një ton kokainë.
Personi që komunikon në “Sky” për sasinë 932 kg drogë është pikërisht Orgest Molla, i arrestuar dhe që u la në arrest me burg ditën e sotme nga GJKKO, i cili dyshohet se vepron nën urdhrat e ‘grupit të Troplinëve’.
Sipas zbulimit në SKY, Molla flet me Sueld Elezin dhe madje i dërgon edhe një foto në “Sky”, ku një media e vendit fqinj raportonte lajmin e kapjes së ngarkesës në port.
Biseda e tyre ka qenë e koduar, por jo e vështirë për t’u kuptuar dhe zbërthyer nga hetuesit. Flitet për kapjen e ngarkesës që i drejtohen me “bukë” dhe për një sasi tjetër prej 3 kg, pasi Molla bënte ndërmjetësin dhe Elezi njihej si financues apo porositës. Kjo bisedë rezulton se është bërë gati 10 ditë pas operacionit të kapjes së rreth 1 tonë kokainë.
Këto biseda kanë ngritur dyshime të forta se “grupi i Troplinëve” është organizatori i trafikut të ngarkesës nga Kili. Sipas SPAK, Molla është lidhje direkte e “Visit të Pojës”, njëkohësisht nip i Troplinëve, teksa një tjetër figurë e rëndësishme drejtuese është edhe Adi Çoba.
Biseda mes Orgest Mollës dhe Sueld Elezit në SKY ECC:
Orgest Molla: Prandaj na duhen lekët shpejt vëlla...a kupton...?!
Sueld Elezi: Vlla, a do zbresësh prapë, për këtë italjonin tim...?
Orgest Molla: Hahhaa, pos a ju duhen? T’ju a ruaj...se ka shumë kërkesa dhe nuk kemi shumë mall. Se na u kapën dhe ato 932 bukë, a e pe o vëlla..?!
Sueld Elezi: Do të sjell 3 bukë?
Orgest Molla: Vëlla ehee..., për atë thu ti, po ato i ke ti, t’i kam ndarë veç...por thashë se do prapë.
Sueld Elezi: Ok...vëlla.
Orgest Molla: Sa doni t’ju ruaj shoku...?
Pjesë nga dosja 'Ura', biseda Elezi-Molla për kapjen e 932 kg kokainë në Itali
Komente
