Sali Berisha

Nafta e Berishës drejt Jugosllavisë/ Pëllumb Kulla: Kështu mashtrohej OKB-ja për thyerjen e embargos

13 Maj 2022, 14:10| Përditesimi: 13 Maj 2022, 14:14

  • Share

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, gjatë viteve 1992-1996, shkrimtari Pëllumb Kulla tregon në një intervistë të para viteve më parë, prapaskenat e përplasjes diplomatike ndaj Tiranës zyrtare për shkeljen e embargos së armëve me Jugosllavinë. Kulla, në një intervistë të vitit 2006 rrëfen bisedat me diplomatët perëndimorë dhe Sali Berishën që synonte të mbronte dërgimin e naftës në Serbi e Mal të Zi…

Ardian Thano

Zoti Kulla, disa ditë më parë Kryeministri shqiptar, u pyet lidhur me disa kujtime të botuara në një libër nga ish Presidenti malazez Momir Bullatoviç. Zoti Bullatoviç theksonte në këto kujtime se ka pasë ekzistuar një marrëveshje mes tij dhe ish-Presidentit shqiptar Berisha, për të furnizuar me karburant ish-Jugosllavinë, në kushtet kur OKB-ja kishte shpallur ndaj Beogradit, një situatë embargo. Kryeministri Berisha konfirmoi marëveshjen. Duket se Shqipëria e ka thyer këtë embargo nën patronazhin e instancës më të lartë shtetërore të kohës. Si ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, a jeni ju në dijeni nëse OKB-ja ka patur në atë periudhë sinjalizime dhe shqetësime lidhur me këtë situatë? Nëse po, a mund të na i thoni ato?

Po ka patur, bile, mjaft. Në Këshillin e Sigurimit, strukturat monitoruese raportonin mbi shkeljet e sanksioneve që i ishin vendosur Federatës jugosllave të mbetur tanimë si një bashkim i veç dy republikave, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Shumë njerëz në misionet e Bashkimit Europian (BE) dhe të Organizatës së Sigurimit dhe Bashkëpunimit për Europën (OSBE) vigjëlonin rreth e qark kufijve të Jugosllavisë, që brënda saj, të mos hynte asnjë pikë karburanti. Përpara kamionëve dhe traktorëve, ai karburant u mbushte serbatorët tankeve, autoblindave  dhe avionëve të Millosheviçit, që mbillnin vdekje në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë. Depertimet nga kufiri i Shqipërisë ishin shpesh temë e ditës atje.

Natyrisht. Misioni Shqiptar pranë OKB-së, ishte nga të parët organizma diplomatikë që priste qortimet. Ne ia përcillnim kryeqytetit tonë. Në mënyrë të veçantë e mjaft serioze, Këshillit të Sigurimit iu raportua në qershor 1995, kur nga Brukseli erdhi vetë koordinatori i BE/OSBE-së, ambasadori Antonio Napolitano. Në një seancë të posaçme u paraqitën dëshmi me foto në përmasa të mëdha, që nuk të linin asnjë shteg dyshimi në se qenë, apo jo të shkrepura në kufirin shqiptaro-malazez. Aty shfaqeshin rradhë autobotësh të marra nga ajri dhe nga toka. E vërteta ish se rreth autobotëve nuk shihje asnjë polic apo njeri që të të kujtonte shtetin. Mund të mbroheshim edhe ngaqë botet nuk e kishin në ballë destinacionin. Ama kish plot transportime me hajvanë, fuçira të vendosura në barka të remuara nga fshatarë që përshkonin liqenin e Shkodrës dhe Bunën… Ishte një dëshmi e rëndë.

Kishte Shqipëria ndonjë version shfajësues për situatën?

Versioni ynë shfajësues ishte ai që e kishim përsëritur edhe herë të tjera.Cili, nëse mund të thuhet…Ai, pra, që “shteti ynë e pranon pafuqinë e tij për ta luftuar siç duhet kontrabandën që gjen hapësirë, pasi spekullantët e pasuruar për ta zhvilluar më tej pasurimin e tyre të pandershëm, motorizohen më mirë, se sa shteti ynë i brishtë paskomunist” Bënim thirrje që Komuniteti Ndërkombëtar të na ndihmomte më tej, me mjete e specialistë, që ne t’i thoshim stop kësaj të keqeje. Ishte një formulë që e patën shqiptuar Presidenti dhe Ministri i Jashtëm dhe ne nuk na mbetej veç të shkonim në gjurmët e tyre.

Ju vetë e besonit se kjo ishte e vërteta lakuriqe?

Ne atëhere besuam shumë gjëra! Ne ishim të shkëputur nga terreni konkret dhe, si të gjitha direktivat, do ta përmbushnim patjetër dhe këtë. Sado e pabesueshme, ne e thoshim me zemër të pastër këtë shfajësim. Lufta në Bosnjë shënonte kapituj ngjethës njëri pas tjetrit, që godisnin sytë e botës dhe të salloneve të OKB-së. Represionet në Kosovë, vrasjet e arrestimet në atë kohë, nga ana e palës sërbe ishin ende më të pakta, por gjithashtu tronditëse për diplomatët shqiptarë. Këta fakte e bënin më prekës sinqeritetin – për të mos thënë – distancën nga e vërteta lakuriqe me të cilën na mbante Tirana. Këtë ma vuri në dukje edhe ambasadori Napolitano, me të cilin pata një takim të posaçëm. Ai kish rekomandim nga ambasadori tjetër italian, ai pranë OKB-së, Francesco Paolo Fulci, i cili ish mjaft i afërt me mua. Napolitano më foli më hapur, se sa foli në takimet e tjera që pat në Nju Jork. Ai u bind se unë shfajësimin e kisha të sinqertë dhe miqësisht shprehu dëshirën, ndoshta të parealizueshme, që të më takonte edhe atëhere kur unë do të kisha një ide e një siguri tjetër mbi të vërtetën.

E kishte fjalën për këto ditë, për konferencën dhe pohimet e Berishës…

Nuk e besoj. Askujt nuk ia pat marrë mendja, se zoti Berisha do ta bënte këtë pohim.

A e sinjalizuat zotin Berisha për këto shqetësime që ju ishin transmetuar dhe, cila ishte përgjigja e tij?

Pa asnjë dyshim që e bëra. Atë ditë dërgova raportin me shkrim dhe pastaj në Tiranë ia tregova më në hollësi efektin e dëshmive mbi shkeljet e sanksioneve, pra: thyerjes së embargos, siç përdoret këtu më thjesht. Më hollësisht i rrëfeva dhe për bisedën me koordinatorin Napolitano.

Cili ishte komenti i Presidentit?

Ai në një gjendje emocionale të përngritur, më porositi që zotërinjve rreth e qark Këshillit të Sigurimit t’u thosha, se ne i kishim dhënë fund asaj epoke, kur qëllohej me armë kundër fshatarëve që kapërcenin matanë kufirit. Dhe nuk do të qëllonim më, daç të ishin ata të ngarkuar, daç të ishin pa ngarkesë! “E dimë, – tha presidenti – që shkelet kufiri, që përcillen andej dhe naftë dhe ushqime. Do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet që ta frenojmë këtë evasion”.  i mbaj mend tekstualisht fjalët e tij, pasi unë në atë kohë besoja kryekëput në ato që thoshte ai. E sidomos, sepse i thoshte me ashk.

A u përcoll ky qëndrim i Presidentit shqiptar në OKB?

Sigurisht që po! Jo formalisht në Këshillin e Sigurimit, por në takime të dyanshme dhe në ndonjë konferencë shtypi, kur më atakonin, po. Bile, hera herës, dhe tekstualisht, por teksti tani qe bërë i imi.

Një pyetje hipotetike… Tani që ju dëgjuat pohimet e shefit tuaj të atëhershëm, çfarë mund t’i thonit koordinatorit të atëhershëm Antonio Napolitano, sikur ta hasnit?

Pak rëndësi ka se çfarë do t’i thosha unë Napolitanos… E rëndësishme është se çfarë do t’i thosha shefit tonë të atëhershëm! Do t’i thosha që na ka mashtruar, na ka shpërdoruar pabesisht, ditë për ditë, siç po vazhdon të sillet pabesisht edhe sot në dëm të shoqërisë shqiptare, në dëm të çështjes kombëtare dhe asaj kosovare, në plan të parë. Justifikimi i tij i sotmë, se thyerjen e embargos ai e kish llogaritur në favor të shqiptarëve përtej kufirit është gjethe fiku. Është një justifikim prej diletanti, që atij i ka efekt ngaqë turma e qorrave do të vazhdojë të brohorasë për të edhe sikur ai t’i verë shkrepsen fitilit për multimilionat e tonëve të eksplozivit nën truallin shqiptar. Do të hidhemi të tërë në hava, me dy gishtat përpjetë, të sigurtë që po fluturojmë në katërqind copëra, për të mirën e çështjes kombëtare!

Jeni i revoltuar… Kam parasysh tonin tuaj…

Nuk jam i revoltuar. Kam pushuar së revoltuari me të. Ai tani nuk ka më asnjë faj.  Tani gati-gati, zbavitem me të. Nuk pres asnjë të mirë prej tij, në asnjë cilësi: as si shqiptar, as si bashkëpuntor i devotshëm i tij, as si pensionist, as si ish pronar… E shoh qesharakërinë e tij, si një gjë që më fyen mua dhe vetëm mua. Nuk di sa shqiptarë të tjerë mund ta kenë këtë ndjenjë. Kam parë në jetë gjëra groteske, por një grotesk të madhërishëm, të tillë, nuk mund të bëjë vaki të shfaqet kurrë në historinë e një kombi. Dy pyetje janë thelbësore në pohimin e tij të vonuar… Si e ndiqte ai fuçinë e karburantit që rrokullisej, përshëmbull, drejt Prishtinës dhe a e kuptonte dot që ajo arrinte tamam atje?! Dhe tjetra: ku shkuan miliardat e dollarëve të kontrabandës, kur Shqipëria është e rënuar dhe Shkodra me rrethina është rajoni akoma më i rënuar i këtij vendi të rënuar? Berisha do të bënte mirë që në konferencën e shtypit të thoshte, se Bullatoviçi ka përrallisur kot. Pra të thosh një gënjeshtër tjetër, që do t’i sillte më pak dëm, do të fyente e do të revoltonte më pak njerëz. Mund të fyente vetëm Bullatoviçin, por nuk ma ha mendja që Bullatoviçi do të prekej aqë shumë, sa të vraponte të na provonte se ish-Presidenti shqiptar nuk heq kurrë dorë nga gënjeshtrat.

Në fakt, zoti Berisha nuk u ndal gjatë tek qëllimet e lejimit të shkeljeve, ndoshta edhe për faj të retorikës së tij politike, shpesh të ngarkuar e të paqartë. Dua të them, nuk u sqaruan si duhet qëllimet. Çfarë do të thoshit ju, sikur ato qëllime të ishin vërtet të mira?

Pabesia është një tipar dominant që na vjen në trashëgiminë enveriane. Problemi është se embargoja e thyer ishte e pabesë ndaj familjes ndërkombëtare dhe po aq e pabesë edhe ndaj familjes kombëtare. Po le ta zemë se kjo pabesi do të drejtohej vetëm kundër të huajve. Të shumtë kanë qenë burrat e shtetit që e kanë përdorur dhelpërinë në dobi të kombeve të tyre. Zoti Berisha, pasi të ma dëgjonte mirë e mirë raportin që po i sillja nga Nju Jorku, mund të më vinte dorën në sup, të ulte zërin dhe të më thosh: “mik i dashur, ti atje je shqiptar, je i yni dhe je njeriu im! Ti e di që unë jam shprehur kundër embargos”. – Unë nuk di që ai të jetë shprehur ndonjëherë në ndonjë vend kundër embargos, por tërë gazetarët e rruzullit ta pyesin ai nuk ka për t’ua thënë se ku gjendet i dëshmuar ky qëndrimi i tij kundër! i hutuar nga prezenca e tij, do të turbullohesha dhe nga droja se kjo deklaratë e tij madhore kundër embargos, do të më kishte shpëtuar, do t’i thosha: “po, zoti President, e di!” –  Ai do të më thoshte që “ne duhet të bërtasim fort që gjoja po punojmë për t’i a zënë shtigjet kontrabandës, por në fakt duhet me dinakëri t’i vemë në gjumë ndërkombëtarët. Kupton? Kalimi i karburanteve në Jugosllavi neve na intereson. Është në interes të çështjes së shenjtë kombëtare. Matanë kufirit, shërbimet tona sekrete na sigurojnë, se i tërë kontigjenti që futim ne në Jugosllavi shkon në Kosovë”.  Unë nuk dua të shtirem aqë syçelët dhe ju siguroj, se edhe mund ta haja këtë karamele. E andej e tutje do të kthehesha në Nju Jork me vetëdijë krejt tjetër edhe pse të gabuar.

Mbase nuk kishte besim tek ju?

E pse duhej besimi, kur ai vetë thotë se qe deklaruar kundër embargos?!!! Nuk kishte besim tek i caktuari, tek përfaqësuesi i tij?! E kishte më të plotë konfidencën me varkaxhinjtë e fshatrave të Bunës dhe shoferët e autoboteve?! Ju doni të më fyeni mua, apo Presidentin?

Ju mendoni se ky zbulim i vonë i këtyre ngjarjeve ka pasoja?

Ja, kjo është pyetje shumë interesante! Nuk kam dëgjuar që përfaqësitë e huaja të jenë prononcuar mbi këtë zbulim. E kjo tregon se tashmë ata janë mësuar me këtë lloj partneri në politikën shqiptare. Kam droje se ata në të ardhmen nuk do të reagojnë më, edhe për gjëra më skandaloze. Por edhe Opozita socialiste nuk ka bërë aq zhurmë sa ç’bën zakonisht për gjëra më të vogla.

Si shpjegohet ky qëndrim, sipas jush?

Kjo mund të ketë dy shpjegime: socialistët respektojnë amnistinë e 1997, që na i falka të tëra fajet që bëhen mbi këtë rruzull! Ose, thyerja e embargos është vendosur qëkurse ish gjallë Komiteti Qendror i PPSh, dhe do të jetë vendosur që me Titon, bashkë! Dhe ka qenë ndoshta një nga ato vendimet e shenjta, që komunistët e atëhershëm u zotuan njëzëri ta zbatonin në çdo shartim pluralist që të përfundonin ata dhe partia e tyre! “Shekulli”, 10 dhjetor 2006

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?