Mbetjet e përpunimit të naftës derdhen në përrua e më pas përfundojnë në rrjedhën e lumit Vjosa. Ambientalisti Niko Dumani ngre shqetësimin e ndotjes nga kompania naftënxjerrëse “Albpetrol” në vendburimet e Gorishtit dhe Koculit në Vlorë.
Në përroin e dekantimit aty ku supozohet të shkarkohen ujërat e pastër që rrjedhin nga kodra dhe uji i filtruar nga puset e naftës, vihet re prezencë e lartë e serës e bitumit. Këto kimikate janë shkatërruese për tokën, bimësinë dhe gjallesat.
Niko Dumani: Jemi para një fakti identifikimi të një problemi të vjetër dhe të njohur prej kohësh jo vetëm prej banorëve që jetojnë pranë zonave ku kompani të ndryshme shfrytëzojnë burimet e naftës por edhe në organizatat e shoqërisë civile që shkarkimet e këtyre kompanive bëhen në mënyrë të paligjshme, të pakontrolluara dhe janë impakt negativ se krijojnë jo vetëm ndotje të ajrit por edhe të tokave. Më e rëndësishme është ndotja e mjedisit ujor. Në këtë kuadër, do ta thoja që lumi Vjosa prej kohësh është nën ndikimin e shkarkimit të kompanive në zonën e Gorrishtit në zonën e Vlorës. Shkarkimet janë me impakte të fuqishme se mbetjet hyjnë në grupin e lëndëve të rrezikshme, janë lëndë organike të qëndrueshme që nuk shpërbëhen as në rrugë biologjike, as me mikroorganizma bakteriale por as përmes veprimit të procesit fotoklinik. Atëherë ndikimi i tyre është i qëndrueshme, por shkarkimet në lumin Vjosa shkojnë në mjedisin detar.
Ndotja e Vjosës nga nafta ka vite që ndodh, thotë Dumani, por ka ardhur koha të merren masa tashmë që gëzon statusin “Park Kombëtar”.
Niko Dumani: Të gjithë duhet të reagojmë për të parandaluar ndotjen. Përveç ndotjes fizike të gjallesave por edhe njerëzit që frekuentojnë plazhet, krijojnë disa grumbullime masive që bien në fund të mjedisit detar. Kemi VKM që parashikojnë normat e lejueshme të shkarkimit në mjedisin ujor. Sasia e naftës bruto që shkarkohet është përtej normave të lejuara. Të sensibilizojmë opinionin shtetëror, sidomos inspektoriati i mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit se ndotja e identifikuar nuk është e rastësishme, por prej vitesh. Ndotjet e akumuluara janë të rënda.
Një tjetër problem për Parkun Kombëtar të Vjosës është edhe depozitimi i mbeturinave urbane nga banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë shtratit të lumit.
Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.