Naftë pa taksa për fermerët, 12.2 mln euro fondi për këtë vit! Ndryshon skema

13 Mars, 17:19| Përditesimi: 13 Mars, 17:35

  • Share

TIRANE - Afro 12.2 milionë euro është fondi që është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për Skemën e Naftës, përmes së cilës fermerët e marrin karburantin të çliruar nga taksat.

Kjo mbështetje këtë vit ndryshe nga 3 vitet e kaluara, do të merret si pagesë në llogari bankare pasi të jetë bërë aplikim dhe fermeri të jetë shpallur fitues. Më parë është marrë përmes kartës së fermerit.

Ky është viti i katërt që zbatohet kjo skemë, ku fermeri e merr naftën me çmim të çliruar nga akciza, taksa qarkullimit, e karbonit dhe e TVSH-së. Çmimi referencë për naftën për vitin 2024 është llogaritur 161.4 lekë/litër (pa TVSH), ndërsa me TVSH 193,7 lekë/litër, por fermerët do ta marrin me çmim 78.5 lekë.

Në udhëzimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes, thuhet se subjektet që të përfitojnë naftë pa taksa duhet të kenë tokë bujqësore në pronësi, të aplikojnë për sipërfaqe jo më të ulët se 1 hektar.

Po ashtu specifikohet se të gjithë fermerët që kanë sipërfaqe deri në 10 hektar përfitojnë 100% të vlerës së financimit (kur shpallen fitues), ndërsa ata aplikues që kanë mbi 10 hektar do të marrin 50% të financimit, por nga ky përgjysmim i financimit, përjashtohen fermerët që bashkohen ose Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.

Pra nëse 4-5 fermer bashkohen dhe kanë sipërfaqe 20 hektar, do të marrin financim të plotë, por nëse këtë sipërfaqe e ka vetëm 1 fermer për 10 hektar merr 100% financim ndërsa për 10 hektar vetëm 50%.

Në udhëzim është përllogaritur edhe masa e financimit sipas kulturave që do të mbjellin fermerët. 18,789 lekë për hektar do marrin ata fermerë që kultivojnë misër, fasule, luledielli, sojë.

Grupi i dytë që mbjell grurë, tërshërë, thekër, elb), foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk) merr 12,784 lekë për hektar.

Ata që mbjellin foragjere shumëvjeçare apo bimë aromatike-mjekësore do marrin 8,910 lekë për hektar.

Për kategorinë e dru frutorëve do merren nga 13.9 mijë lekë deri në 18.7 mijë lekë sipas llojit të frutave që kultivojnë. Ndërsa për perimet financimi është 14.9 mijë lekë për perime fushe në sezonin e parë dhe 16.8 mijë lekë për perime sere në sezonin e parë.

Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, dhe ka abuzuar me mbi 20% të vlerës së përfituar përjashtohet për 3 vjet nga përfitimi prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.

Për vitin 2023 për skemën e naftës janë dhënë nga buxheti i shtetit afro 30.3 milionë euro dhe u rrit me akt normativ pasi në buxhetin fillestar të vitit 2023 ishte parashikuar afro 13 milionë euro.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Po mër po: 13/03/2024 18:15

    Po fermerët që nuk përdorin naftën dhe nuk ndosin ajrin, çfarë do marrin? Hiç gjë. Shtet që ndihmon tregtarët e naftës të shesin naftë jo fermerët. Bli prodhimin e tepërt, jo naftën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PD proteston duke bllokuar rrugët kryesore në vend, si e vlerësoni?