Teksa kanë mbetur dhe 3 ditë nga afati që kanë fermerët për të aplikuar për naftën e çliruar nga taksat, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka kërkuar shtyrje të afatit.
“Bazuar në të dhënat nga INSTAT, ky sektor aktualisht siguron rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rreth 37.4% të punësimit total. Unë besoj që do të kemi një lajm nga ministrja për ta shtyrë këtë afat për t’ju dhënë më shumë kohë fermerëve shqiptar të aplikojnë. Është një mundësi e mirë”, u shpreh Taulant Balla.
Kërkesa u bë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, kupa dhënë një përgjigje për këtë çështje ministrja e bujqësisë Milva Ekonomi foli për suksesin në përdorimin e fondeve të IPARD.
“Në Shqipëri ne kemi rreth 1057 aplikime për të cilat në thirrjen e parë dhamë mundësi për 317 fermerë dhe agropërpunues të kenë aplikime, në thirrjen e dytë 371 aplikime të suksesshme dhe tani po presim që të ndodhi thirrja e tretë. Në total kemi harxhuar 46 milionë euro por e gjithë shuma e IPARD është 94 milionë euro”, tha ministrja.
Ministrja tha se po punohet edhe për ngritjen e regjistrit të fermerëve në vend, pasi është një kërkesë edhe e BE për të hapur kapitujt për integrimin e vendit.
“Ne po bëhemi gati të ngremë regjistrin e fermerëve me instrumentet tanë nëpërmjet kartës së fermerit”, u shpreh ministrja.
Po ashtu Ekonomi njoftoi se është punuar edhe për të ndaluar peshkimin e paligjshëm, pasi anijet peshkimit janë pajisur me sistemin e gjurmimit.
“Peshkimi në vitin 2020 ishte 16.3 mijë tonë duke u rritur me 7.2% krahasuar me 2019. Të 230 anijet të flotës së peshkimit e kanë sistemin blu boks në anijet e tyre, dhe po presim të bëjmë lidhjen satelitore për të monitoruar punën dhe vendndodhjen e anijeve”, tha Ekonomi.
Gjatë vitit 2020 ministrja tha se është punuar shumë edhe për sigurinë ushqimore dhe janë kryer 93.700 inspektime e janë vendosur 258 gjoba që janë gjetur në shkelje.
“Ndërkohë duke bërë 93.700 inspektime kemi dalë në konkluzione të rëndësishme ku janë dhënë mbi 5000 paralajmërime, janë 258 gjoba dhe janë ndërprerë 28 aktivitete. Janë asgjësuar 523 ton ushqime, 855 mijë vezë edhe janë 1200 kuti të asgjësuara”, thotë ndër të tjera ajo.