Sali Berisha në konferencë

Opinion

Namir Lapardhaja: A mund të fitojë politikisht opozita nga ‘dështimi’ i turizmit?

7 Gusht, 18:15| Përditesimi: 7 Gusht, 18:17

  • Share

Mëse një herë drejtuesi i opozitës në Shqipëri nuk e ka fshehur ngazëllimin e tij për ‘dështimin’ e mundshëm të turizmit. E ka bërë në të kaluarën.

E bëri edhe sot, ndërsa nxori videon e një gazetari, i cili pyeste dikë në një fshat bregdetar dhe ai i ankohej se turizmi kishte rënë, duke qenë se dy turistë kishin filluar të pinin një birrë. Përtej skupit mediatik, kjo e dhënë, e marrë dhe e paraqitur nga drejtuesi i partisë më të madhe opozitare si dështimi i turizmit, medemek si dështim i qeverisë, nuk ka sens dhe është më shumë se sa absurde.

Në fakt, opozita do duhej t’i gëzohej zhvillimit të turizmit, do duhej të inkurajonte këtë sektor jetik për ekonominë dhe do duhej të ishte e kënaqur me pasurimin dhe zhvillimin ekonomik të njerëzve, sepse sa më të pasur dhe sa më të zhvilluar ekonomikisht të jenë shqiptarët, aq më të pavarur dhe aq më pak do ta ndiejnë nevojën e shtetit.

Mirëpo, duke qenë se ka një shterpësi kauzash, kjo kapje pas çështjes së turizmit, nuk është as produktive, nuk është as ndonjë argument që mund t’i sjellë vota apo mbështetje opozitës.

Për të mos folur pastaj që nuk mund të sulmohet qeveria me diçka që, në fakt, nuk është as meritë dhe as faj i saj, sepse nëse do akuzosh qeverinë për dështimin e sivjetshëm, do të thotë t’i njohësh asaj meritat për një vit më parë. Po ashtu, edhe e kundërta.

Zhvillimi i turizimit, bumi apo ngadalësimi i tij, nuk është as çështje shqiptare as lokale. Ka pasur një zhvillim të madh fill pas hapjes pas pandemisë, duket se ka një ngadalësim si rezultat i zhvillimeve dhe konflikteve rajonale, mirëpo diçka e tillë nuk është vetëm shqiptare. E njëjta gjë ndodh edhe me vendet fqinje apo më tej.

Nuk po flas pastaj për të dhënat zyrtare që paraqesin një realitet tjetër, çka ende e bënë Shqipërinë të aksesueshme dhe të vizitueshme nga të huajt. Dhe ky është një lajm i mirë.

Sigurisht që turizmi shqiptar, duke pasur një traditë të shkurtër, ka një mori problematikash. Ashtu sikurse qeveria dhe pushteti lokal mund të kontribuojnë dhe mund të japin më shumë në zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe konkurrues. Më pak taksa, më shumë luftë informalitetit në këtë sektor dhe dëgjimi i halleve dhe probalematikave të operatorëve turistik, do të ishte një kontribut i vyer. 

Por të ngazëllehesh për ‘dështimin’ e turizmit, do të thotë që të gëzohesh për dështimin ekonomik të qytetarëve të vendit tënd dhe, sa më të varfër dhe sa më probleme ekonomike të kenë njerëzit dhe bizneset, aq më shumë do ta ndiejnë nevojën e politikës, të partive apo të pushtetit, gjë që jo vetëm nuk e ndihmon opozitën, por e thellon edhe më tej hendekun e saj me elektoratin shqiptar.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?