Këta që mburren se kanë rrëzuar Enverin, kanë mundur Ramizin dhe kanë dënuar Nexhmijen, ankohen se i ka vjedhur Rama, i ka manipuluar Balla dhe i ka telendisur Zegjineja.
Mjafton të shihje seancën e kësaj të enjteje, për të kuptuar se zhvillimet politike që pritet të ndodhin në parlamentin e ri të shtatorit, do të jenë sikur të kesh parë disa herë se si do përfundojë « Titaniku » e të kesh shpresë se kësaj radhe do të ketë fund tjetër, edhe pse ti e di si mbyllet ngjarja.
Përballë një mazhorance obeze si pasojë e skandaleve korruptive të mëdha, do kemi një parti që është mburrur dikur se ka rrëzuar komunizmin e egër, ndërkohë që do vijojë qurravitjen se e ka vjedh Edi Rama.
Domethënë, këta që thonë se kanë rrëzuar një ndër regjimet më të egra të Evropës, munden vazhdimisht si gomari në duhan nga Taulanti nga Librazhdi dhe shokët e tij.
E thënë me fjalë të tjera, partia që dikur ‘i tregoi’ vendin « Zonjës së Zezë » Nexhmije Hoxha, u tall dhe u leqendisë fushatën e 11 Majit nga Zegjineja e Roskovecit aq sa u harrua rezultati i zgjedhjeve (se ai e mori rrugën).
E për të vijuar me këta që pretendojnë se kanë sjellë demokracinë, ndërkohë që e kanë kthyer partinë e tyre në një repart ushtarak, ku kapteri i parë të kërkon llogari pse nuk e ke mbërthyer qaforen, ndërsa ti sa hap gojën për t’iu përgjigjur, ai të ulëret : Mooos foool!!!
Ose-ose, këta që mburren se kanë luftuar krimin dhe bandat, sot po thonë se krimi dhe bandat iu vodhën zgjedhjet, mirëpo e tregojnë të vërtetën e gotës përgjysmë, sepse, një pjesë e madhe e këtyre që akuzojnë se u kanë vjedhur zgjedhjet, ishin po të njëjtët që tre vite më parë organizuan ‘Foltoren’.
E që të mos e lëmë edhe këtë pa e thënë, partia që do duhej të ishte shpresa e shqiptarëve, është shndërruar në një ansambël shakaxhinjsh, ku është shpallur konkursi i barsaletës më të bukur. Edhe pse ata duket se thonë gjëra serioze, aq më shumë qeshin njerëzit nga humori i tyre i arrirë.
Komente
