Foto ilustruese

Opinion

Namir Lapardhaja: Brezi 'çfarë më shikon', në çfarë shoqërie po rritet?

16 Gusht, 15:15| Përditesimi: 16 Gusht, 15:33

  • Share

Përditë kronika e zezë në Shqipëri është e mbushur me lajme ku protagonistë janë adoleshentë dhe të mitur. Ngjarje tragjike që nisin si sherre banale dhe përfundojnë me viktima. Përveç krimit të rëndë, ajo që të trondit është edhe mosha e atyre që bëhen protagonist të këtyre konflikteve. 

'Brezi i celularit' dhe 'i internetit' është shndërruar në brezin 'çfarë ke që më shikon'.

Shpeshherë mundohemi të gjejmë arsye dhe të bëjmë analiza, por pyetja themelore që duhet ngritur është: në çfarë familjeje po rritet ky brez?

Familja nuk është kujdestare vetëm për ushqimin dhe krijimin e kushteve të jetesës, por ajo duhet të kujdeset edhe për edukimin e fëmijëve. Fatkeqësisht në shumicën e këtyre familjeve, fëmijët e të cilëve bëhen protagonist të këtyre ngjarjeve tragjike, mungon komunikimi mes prindërve dhe fëmijëve. Shpesh prindërit janë të lodhur nga hallet dhe përditshmëria, nuk gjejnë kohën e mjaftuesjme për t'u marrë me fëmijët e tyre, duke i lënë ata në dorë të celularëve dhe rrjeteve sociale. Kjo është fatale. 

Së dyti, shkolla ka humbur rolin e saj edukues në të gjitha hallkat e saj. Mungon formimi qytetar dhe etik i mësuesve, gjë që do duhej të përcillej edhe te nxënësit. Në shumicën e rasteve, mësuesit e shkollës sonë nuk kanë as mundësimë as përgatitjen e duhur të merren me anën emocionale dhe shoqërore të nxënësve. Gjithçka që ofron shkolla sot është një mekanizëm i pavlerë që nuk përmbush asnjë kërkesë shpirtërore të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Përveç familjes dhe shkollës, një pjesë e kulturës sonë publike ka ushqyer dhunën si modë dhe si formë të suksesit. Në rrjete sociale qarkullojnë video ku dhuna, bullizmi e arroganca duartrokiten; në mediat e mëdha shpesh shfaqen modele të suksesit të lidhura me arrogancë, pasuri të shpejtë e “trimëri” rrugësh. 

Një brez që nuk ka pasur komunikim të shëndetshëm në familje dhe as edukim të mjaftueshëm në shkollë, përfundon duke marrë model shoqëror pikërisht egërsinë e rrugës, që promovohet në media.

Përsëritja e shpeshtë e ngjarjeve të tilla që përfundojnë me viktima të pafajshëm, janë pasqyrë e një krize të thellë sociale dhe kulturore. 

Ndaj sot Shqipëria ka nevojë urgjente për një plan kombëtar për edukimin dhe komunikimin në shkollë, në familje dhe kudo.

Prindërit duhet ta kuptojnë se nuk mjafton të ushqesh dhe veshësh fëmijën, por duhet edhe të flasësh, të dëgjosh, t'i japësh hapësirë, ta mbështetësh dhe ta mësosh se si t'i menaxhojë konfliktet.

Po kështu, shkolla duhet të marrë seriozisht rolin e saj edukues, duke futur më shumë programe për formimin qytetar, psikologë të pranishëm dhe mbështetje emocionale për nxënësit. Mësuesit nuk mund të jenë vetëm transmetues lëndësh, por edhe modele sjelljeje.

Nëse nuk e ndihmojmë këtë brez, duke e lënë peng të rrjeteve sociale dhe të modeleve të dhunshme të rrugës dhe të kulturës masive, shumë shpejt do të degradojmë në një shoqëri të dhunshme. 

Zgjidhja nuk mund të jetë vetëm policia apo dënimet penale, por ajo duhet të fillojë nga familja, të përforcohet me shkollën dhe të vijojë me promovimin shoqëror dhe mediatik. Në të kundërtën, do bëjmë bilancin e viktimave, duke shpresuar përherë të jenë larg nesh!/Tema

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arian: 16/08/2025 19:31

    Je shprehur më shumë se saktë. Perfektshmërisht! Komplimente! Doja vetëm të shprehesha se, është jo vetëm Shqipëria por tërë bota e ndryshuar. Duhet që më në fund të kuptojmë që kemi një realitet të tillë dhe të gjejmë mënyrën për ta përballuar atë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?