Rinumërimi dhe verifikimi i kutive të votimit në Dibër, Elbasan dhe Tiranë po nxjerr në pah se Partisë Demokratike dhe Sali Berishës jo vetëm që nuk u janë vjedhur votat, por në disa raste u janë shtuar padrejtësisht në dëm të partive të tjera më të vogla, ndërsa në raste të tjera, si në Dibër, kandidatët e saj kanë vjedhur njëri-tjetrin.
Gjithë narrativa për 'farsën në kuti' nuk qëndron dhe se ajo është përdorur si një alibi për të shmangur përballjen me të vërtetën e hidhur: refuzimin masiv nga qytetarët. Krahasuar me vitin 2021, Berisha ka humbur rreth 200 mijë vota, një ndëshkim i qartë për mënyrën e tij të të bërit politikë.
Nëse alibia e 'farsës në kuti' ishte strategji për të mbajtur gjallë bazën demokrate dhe për të zvarritur humbjen deri në shtator, kur Berisha pretendon se do të nisë “beteja e madhe kundër regjimit”, atëherë ai i ka bërë llogaritë gabim. Demokratët mund t'i gënjesh, ndërsa shqiptarët jo.
Do të kishte qenë më e mençur politikisht që kutitë mos të prekeshin dhe të ngelej vetëm si konspiracion se sa ndodhi kjo transparencë, e cila po u kthehet në bumerang dhe po i përplas disa të vërteta në fytyrë.
Sepse sot manipulimi nuk ndodh më në kutitë e votimit. Sot zgjedhjet fitohen para ditës së votimit.
Partia Demokratike nën drejtimin e Berishës nuk arriti të ngjallë besim, nuk arriti të ofrojë alternativë, dhe më e rëndësishmja nuk arriti të kthejë shpresën.
E nëse një forcë politike nuk ka më aftësinë për të frymëzuar dhe për të rikthyer shpresën, atëherë ajo është thjesht një strukturë e zbrazur që nuk i duhet më askujt.
Komente
