Ndërtesa të shkatërruara në Gaza

Opinion

Namir Lapardhaja: Gaza duhet të ripërkufizojë çfarë është e njerëzishmja

3 Korrik, 19:39| Përditesimi: 3 Korrik, 19:42

  • Share

Ajo se çfarë ndodh përditë në Gaza, në një rrip të ngushtë toke, ku qenia njerëzore po trajtohet në mënyrë çnjerëzore, e ka sjell Botën në një stad të ri të ripërkufizimit të vetvetes. Pas ngjarjeve në Gaza, Bota duhet të ripërkufizojë se çfarë është e njerëzishmja, se çfarë do të quajmë humane dhe se çfarë do të quajmë dhimbje, vuajtje, arsye për të ndjerë keqardhje. 

Pas humbjeve të mëdha të jetëve të njerëzve të pafajshëm, Bota duhet ta ripërkufizojë idenë e saj për shenjtërinë e natyrës njerëzore, duhet t’i riqartësojë se kush meriton të jetojë e kush të vdesë, se a duhet të ndiejmë dhimbje për të tjerët, se nëse ka vlerë jeta apo jo, se lufta është rregull apo përjashtim nga rregulla. 

Konventat ndërkombëtare duhet të ripërkufizojnë se çfarë quhet gjenocid, krim kundër njerëzimit, shkelje e të drejtave të njeriut, se në luftë a duhen trajtuar të gjithë si armiq apo lufta do duhet të ketë disa “rregulla”, se vrasja e të pafajshmëve, e grave dhe fëmijëve, e pleqve dhe plakave, e gazetarëve dhe e personelit mjekësor, e njerëzve të paangazhur në luftë, vijon të jetë e dënueshme dhe të përbëjë krim kundër njerëzimit apo ka një qasje të re, ende të padeklaruar. 

Pas ngjarjeve të tmerrshme dhe lajmeve të kobshme që vijnë përditë nga ai rrip toke që quhet Gaza, Bota duhet të ripërkufizojë vetveten, duke filluar nga ajo që quhet demokraci, paqe, luftë, pafajësi, e drejtë për të jetuar, liri për t’u shprehur dhe për të folur, mundësi për të reaguar dhe e drejtë për të protestuar. Duke ndjekur vrasjen e njerëzve të pafajshëm, Bota duhet të ripërkufizojë se çfarë është e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, e drejta dhe e padrejta, se çfarë është turpi dhe se çfarë virtyti, konceptet e forcës dhe të dobësisë. Sa herë që ka luftra dhe vdekje, Bota bëhet më e shëmtuar, njerëzit më të paaftë për të reaguar dhe popujt më të brishtë për t’u zhvilluar. 

Ajo që po ndodh përditë në Gaza, është turpi më i madh i Botës dhe i njerëzimit. Është një e zezë që do duhet jo vetëm ta ripërkufizojë atë se çfarë ka qenë deri më sot, por do të jetë një blanë e madhe turpi që në të ardhmen do ta shoqëroë për një kohë shumë të gjatë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?