Draft-propozimi i Kodit të ri Penal, prezantuar pak ditë më parë nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ngjallur reagime të shumta.
Ndonëse i prezantuar si një reformë modernizuese për legjislacionin shqiptar, realiteti i këtyre ditëve po tregon se ai ka bashkuar një front të gjerë dhe të pazakontë që përfshin, pothuajse, çdo grup interesi të lidhur me drejtësinë.
Që ditën e prezantimit, vetë kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shpreh se më shumë se sa për një listë ndëshkimesh, legjislacioni ynë ka nevojë për përkufizime më të qarta dhe masa që shkojnë në favor të mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, ndërkohë që edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shfaqi rezerva, duke u shprehur se shumë nene nuk i përmbahen hierarkisë së veprave penale dhe rrezikojnë të rëndojnë mbi sistemin me ndjekje për çështje të vogla administrative, duke shpërqendruar prokurorinë nga ndjekja e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Po ashtu, rezerva ka pasur edhe Shoqata Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë, e cila e ka cilësuar draftin si një përpjekje për të forcuar kontrollin shtetëror dhe për të kufizuar të drejtat e qytetarëve në emër të rendit.
Përmenda këto tre institucione, të cilat kanë në përditshmëri punë me Kodin Penal, ndonëse nga këndvështrime dhe pikëpamje të ndryshme. Për të mos folur pastaj për kritikat që ka shprehur opozita, juristë, kostitucionalist apo njerëz të angazhuar në debatin publik.
Jo vetëm kaq, por draft-kodi i prezantuar është një dështim edhe në aspektin teknik dhe gjuhësor. Mjafton një vështrim në tekst për të konstatuar se ka shumë gabime drejtshkrimore, që nuk i takojnë një dokumenti zyrtar të nivelit të tillë, përdorim të pasaktë të terminologjisë juridike, që çon në paqartësi të thellë ligjore apo formulime të paqarta, që nuk përmbushin as standardin minimal të sigurisë juridike për qytetarët dhe profesionistët e drejtësisë.
Në një vend si Shqipëria ku sistemi i drejtësisë është ende në proces reformimi dhe ku besimi te institucionet është i brishtë, një Kod Penal me gabime të tilla nuk është vetëm i papranueshëm, por është edhe i rrezikshëm.
Si çdo ligj, edhe draft-kodi i ri penal do duhej që përpara se të bëhej publik, të konsultohej, të diskutohej dhe të merreshin mendimet dhe opinionet e grupeve të interesit, sepse nëse të gjithë janë kundër, siç edhe po del, atëherë kujt i shërben Kodi i ri Penal dhe me kë e ka konsultuar Ministria e Drejtësisë, sipas parashikimeve ligjore?
Drejtësia nuk duhet ndërtuar mbi frikën dhe represionin, por mbi të drejtën, sepse çdo kod që lind mbi frymën e frikës dhe shtypjes, është i destinuar të dështojë dhe të mos i përgjigjet interesave të qytetarëve.
Komente
